Gjakmarrja në Shkodër, kurse profesionale për gratë e ngujura
Shkodra, qarku më i prekur nga fenomeni i gjakmarrjes ka ndërmarrë një nismë për integrimin e kryefamiljareve të prekura nga ky fenomen.
24 prej tyre do të bëjnë kurse profesionale falas, si hap i parë për integrimin e këtyre familjeve, ndërkohë që më pas do u gjendet punë në varësi të sektorit ku po trajnohen.
Edhe pse prej vitesh jetojnë nën dominimin e fenomenti të gjakmarrjes, nuk janë dorëzuar.
Këtë të hënë 24 gra nga qarku i Shkodrës kanë marrë një vendim me rëndësi për jetët e tyre, duke nisur një kurs profesional në kuzhinë, parukeri dhe rrobaqepësi.
Meri Markiçi, drejtoreshë e qendrës së formimit profesional: “Kurset ku do të trajtohen këto gra janë kryesisht në profiling e kuzhinës, rrobaqepsisë por edhe të parukerisë. Ky është dhe një hap pozitiv për integrimin e tyre të mëtejshëm në shoqëri”.
Por si e sheh një grua e prekur nga fenomeni i gjakmarrjes këtë hap ndryshe nga përditshmëria e saj.
Për “Ora News” një prej tyre rrëfen se nismën e mori pasi 9 pjestarët e familjes së saj jetojnë vetëm nga të ardhurat e ndihmës ekonomike.
Gruaja : “Kam 6 fëmijë, kam dhe djalin e kunatit që nuk ka as nënën as babain. I ati vdiq për arsye të gjakmarrjes ndërsa nëna e tij vari veten prej stresit. Shpresoj që me një farë page të sigurojmë të paktën ushqimet, gjërat e nevojshme për familjen”.
Liljana Luani mësuese që prej vitesh ndihmon fëmijet e ngujuar të marrin dijet e ciklit 9-vjeçar, tregon se puna shtëpi më shtëpi është e vështirë, por lumturia është e madhe kur sheh që të paktën mund të shërbejë si hap i parë për ta “kuruar” plagën e vjetër të gjakmarrjes.
Liljana Luani, mësuese : “Bëhet një studim real i familjeve në gjakmarrje dhe i fëmijëve që janë në probleme gjakmarrje, pavarësisht se nuk shkojnë apo nuk shkojnë në shkollë. Edhe fëmijët e palës kundërshtare sepse nëse nuk ndërhyet tek këto fëmijë, nesër apo pasnesër ata kthehen në kontigjent krimi. Ka familje të ngujuara shumë më shumë se sa flitet sepse mjaft prej tyre nuk nuk kanë bërë denoncime”.
Këto gra dhe vajza do të shoqërohen çdo ditë në qendrën e përcaktuar për kryerjen e kursit profesional, që parashikohet të zgjasë nga 3 deri në 6 muaj.
Hapi i radhës do të jetë në bashkëpunim me institucionet vendore dhe biznesin, sigurimi i një vendi pune për ta, që të sjellin të ardhura për familjet.
Gjakmarrja ka prekur qindra familje në qarkun e Shkodrës.
Marrë nga: www.oranews.tv