Fjalë për nusen e shtëpisë
Riaktualizoj fatin e shumë vajzave dhe grave shqiptare që cdo ditë shtypen dhe vuajnë barbarisht nga “traditat” e zymta dhe poshtëruese. Mundësitë e pakta për të bërë zgjedhje/zgjidhje dhe mungesa e kurajos për të marrë atë që ju takon.
Duke bërë apel që familjet t’i përkrahin vajzat e tyre dhe njëherësh t’i lejojnë fëmijët të vendosin personalisht për njeriun me të cilin do të kalojnë jetën, ju ftoj të lexoni ndër rreshta…
Më kanë thënë me e mbyllë gojën, e me u rrit. Mos të flas shumë se është turp, jo vec pse jam femër, por burrit nuk i duhet prishur tymi i duhanit.
Më kanë thënë që duhet t’ja respektoj fisin, me ju qëndru gati me tabaka në duar, e mos të ankohem edhe nëse më ngrihen duart nga uji i ftohtë.
Më kanë thënë ti përbij fjalët, e mos të më thotë mendja për t’ua kthyer ndokujt fjalën se ndodh që edhe të fluturojnë prej shtëpisë, edhe nëse ti ke të drejtë!
Nëse në vend të sheqerit të hedhin kripë, mos guxo të bësh zë, se nusja e shtëpisë vec për një gjë merret, për të rritur numrin, e për t’ia parë hajrin’. Hyzmetin’ duhet me lartësu si shërbim, e në të qoftë nevoja edhe këmbët t’ua lash rend.
Nuk ka aspak lidhje sa ditë shkollë i ke, apo sa herë ke vrapu nëpër shi e borë për me i fut’ 10 euro në xhep, kur të shkosh në shtëpinë e huaj nuk do të pyesin kurrë, e as mos guxo me ua hapë si temë.
Grimoje fytyrën sapo t’i lash sytë në mëngjes, e vishu me rrobat ma të mira që i ke, se munden të vijnë mysafirë ose fqinjët mund të flasin!
Kur të sëmuresh keq, mblidhi plackat e bëj konak tek familja jote, se me të pa që je sëmurë, jo që është turp, por faqja e zezë.
Burrit mos provo t’i thuash jo, e ule kokën, mos guxo t’i tregosh njeriu edhe nëse dajak’ të jep, se gruaja nuk është grua nëse nuk e rrit dajaku.
Nëse ke tre vite e martuar e nuk je në gjendje të bësh djalë, mos mendo shumë, e jepja burrit të drejtën të marrë edhe një grua, se shtëpia nuk ka bereqet pa burra.
Kur ta shohësh në dritare diellin që i ka nxjerrë dhëmbët duke rrezatuar, mos prit për të të thënë, por një nga një nxjerri tepihat jashtë në oborr e laj.
Jo ore, e jeta ime? Për cfarë më keni bërë mua?
“Bijë, vajza është darka e huajë’, ndaj mos me qesh bota me ne, e mos t’ja marrësh fytyrën babës tënd, lexojau gojën ende pa e hapë!
Por, edhe ata kanë vajza!?
Në shtëpinë e huaj ato janë bija, e ti je vec e ardhur për t’ua hequr llumin e shtëpisë ”.
Lejoji me të robëru me një fjalë, se kështu e doka jeta, kështu është i shkruar fati i femrës, apo për këtë arsye ne jemi krijuar. Histori të tilla paskan shkruajtur edhe librat e shenjt’ e zoti e paska lënë që gruas ti prehet fati ende pa lindur.
Dashuria është mit, atë e ka shkruajtur për herë të parë Greqia antike nëpër libra skandaloz që flasin për paturpësitë e femrës. Dashurinë duhesh t’ua japësh të gjithëve, pa pretendime për ta marrë, se në fund të fundit gruaja nuk duhet dashur.
Literalisht po i bie që mjerë ti pse je krijuar, e mjerë ti cfarë po të pret!
Burri që e ndan shtratin me ty është thjesht babai i fëmijëve tuaj, e ti je vec një pikë e vogël në bunar që shumë lehtë mundesh për t’u zëvendësu.
Pirolla’ të qoftë nëse përbihesh’ se kur t’i bësh disa vite edhe ti do të marrësh një nuse për djalë, e të kthehet mundi, e sheh që nuk të ka shkuar huq’.
Paramendoni veten duke ja nxirë jetën një tjetër femre vec se pse juve mund t’ua ketë bërë dikush!
Por, cfarë paske menduar ti? Ani hise me dashtë’ me marr! Ty nuk të takon asgjë në shtëpinë e babait, e lëre më në shtëpinë e burrit!
Mësohu të qëndisësh sa lexon libra të shkollës, qasju recetave se bukë kanë për të të kërkuar me ngrënë!- thonë.
E sillesh nëpër dhomë e tronditur, thua me vete a është e vërtet kjo gjë, pse gruaja këtë fat ka apo thjesht e pyet veten a ka fat gruaja në këtë jetë?
“Ne të gjitha kështu jemi rritur, kur jam bërë unë nuse 5 vitet e para as emrin nuk më e kanë mësuar, e tek mbas 7-8 vite kanë filluar për të më bërë muhabet’. Ti mbase ke pas mundësi për të folur, por askush nuk të ka dëgjuar, bile’ veshin s’ta kanë vu”.
Pastaj, flasin për bekime, për fuqinë e femrës, për guximin e respektin që ia falë njerëzimit. Jo ore, kjo nuk është jetë, kjo është tregti e lirë, kjo është lojë e humbur, ky është krim!
Mos i lejo të të shkelin, ngrije zërin kur ke nevojë! Bëja me dije që je qenje e gjallë, që s’ka asgjë në tokë më të bekuar se gruaja.
Trego që edhe nëna është grua se edhe ajo dikur mund të ketë pasur një fat të tillë, trego që dynjaja’ nuk qesh me puntorët, por me dembelët.
Mësoja fëmijës kultin dhe madhështinë e gruas, mësoja fëmijës që dashuria buron në shpirtin e mendjen e tij!
Mësoni fëmijët të mos shkelin njeriun, se edhe vajza është njeri!
Mësoja birit fuqinë e respektit, e bijës fliti se duhet dashur edhe bija e huaj. Mësojani fëmijëve rëndësinë e bashkimit, tolerancës dhe punës.
Frika robëron njeriun, frika të lë pa jetë!
(Ngjarje që mund të ketë ndodhur kudo në trevat shqiptare)/A.A.