“Feminizmi shqiptar”, a ekziston!?
Feminizmi është një nocion i gjërë por ka vetëm një aspekt: e kjo është të drejta të njëjta të gjinive. Pa marrë parasysh cilës gjini i takon, të drejtat për jetesë duhen të jenë të barabarta. Te shqiptarët, ky nocion për momentin duket se mungon krejtësisht. Një numër i madh i shqiptarëve, termin ”feminist” e përdorin në kuptimin ”kodosh”, pra si etiketë e meshkujve që s’kanë tjetër objektiv jetësor veçse të ndjekin fustane.
Nga ajo pakicë që e honeps domethënien politike të fjalës, shumica prapë të keqkuptojnë, meqë mendojnë se lufton vetëm për të drejtat e femrës. Shumica mendojnë se meshkujt nuk bën të jenë feministë, mendojnë se ky pikëvështrim u takon vetëm femrave. Kjo është gabim. Kushdo që mendon se njeriu s’duhet të diskriminohet për shkak të seksit, quhet feminist. Dhe feminizmi s’është veçse luftë për çlirim të femrës, por edhe për çlirim të mashkullit nga një mision i shpifur, absurd e idiot.
Shkrimtarja, filozofja e feministja e njohur franceze Simonë dë Buvua (Simone de Beauvoir, 1908-1986) në librin e saj të famshëm ”Le Deuxième Sexe” (shqip: ”Gjinia tjetër”) thotë se ”njeriu nuk lind femër, por bëhet femër”. Me këtë, Simonë dë Buvua mendon se kur njeriu lind s’është asgjë tjetër veçse njeri. Si çuni, si goca e posalindur s’kanë ide se kush vlen më tepër për shkak të seksit. Janë prindërit ata të cilët, përmes socializimit, i mësojnë fëmijët se cila gjini vleka më tepër, e cila më pak. Që në ciklin e hershëm të jetesës, prindët i mësojnë fëmijët – bukvalisht e përmes gjuhës simbolike – se femra s’vlen njësoj si mashkulli.
Qysh nga fëmijëria jemi të mësuar ta shohim çupën më ulët, e çunin me lartë. Si të vogla i mësojmë vajzat tona, të mos flasin shumë, të mos lazdrohen, të mos vendosin se si dhe me kënd të shoqërohen. Ne si prindër vendosim se me cilat lodra të luajnë p.sh kukulla është një lodër për vajza, kurse makina është për djem; ngjyra e kuqe për vajza, e kaltra për djem. Kjo vlen posaçërisht për kulturat primitive si shqiptarët, por vërehet edhe te të tjerët: një studim anglez nga shkollat fillore në vitet 1990 tregonte se nëse vajzat komandohen të flasin 30 përqind të kohës gjatë një ore të mësimit, atëhere jo vetëm nxënësit djem e mësuesit, por edhe vetë vajzat vlerësojnë se kanë folur 70 përqind të kohës.
Këto janë shembuj se si në ciklin e hershëm të fëmijërisë ne bëjm dallime në gjini. E më vonë të mos flasim. Kur vjen koha e pubertetit acarohen më shumë rregullat dhe dallimet midis vajzës dhe djalit, janë shumë më të rrepta.
Pse djali shkollohet si të dojë, pse ai shoqërohet me femra, pa marrë parasysh racën e fenë, pse shkon ne disko e kthehet në shtëpi kur të dojë vetë, e martohet me kë të dojë – i ka hije, se ”mashkull” është e ”s’na e merr fytyrën”. Po vajza s’bën as të shkollohet si të dojë, as të shoqërohet me kë të dojë, as të hyjë e të dalë në shtëpi si të dojë. Kur të martohet le të bëjë ç’të dojë, atëher burri i saj le të vendosë (!) se mua nuk ma merr fytyrën më.
E femra e gjorë, kur martohet e merr djalli! Sepse edhe ai mashkull me të cilin është martuar është i edukuar në të njëjtën mënyrë.
Femra shqiptare këtij diskriminimi nuk i shpëton as kur e lëshon vendin e vet. Unë e një kolege imja pranë universitetit të Lundit në Suedi kemi anketuar gjatë vititi 2002 saktësisht 230 vajza shqiptare moshës 15-39 vjeç, për të marrë vesh se pse janë martuar në moshë shumë të re.
213 prej tyre dhanë të njejtën përgjigjie: ”Se martesa qe e vetmja rrugëdalje që ta shijojmë lirinë” – jo prej shkakut, pra, po prej prindërve! Mjerisht, kjo rrugëdalje, si thamë më lartë, të çon në qorrsokak. Prej 213 atyre vajzave, vetëm 8 mendojnë se kanë arritur të jenë të lira për të zgjedhur vet.
Disa kanë cekur se ne ”Feministët flasim në përgjithësi për të gjitha femrat, por femrat nuk janë të njëjta, të gjithë janë individë”!?
Kjo është plotësisht e drejtë, dmth se ne jemi individë, pra jemi unikë. Por mos ta harrojm se pa marrë parsysh se sa jemi unike, në strukturë na përfshin i njëjti problem. Të gjitha vuajmë pak a shumë nga abuzimet e meshkujve të paemancipuar. (Meqë ra fjala, unë për vete mendoj se emancipimi nuk është obligim i grave, po i meshkujve! Janë meshkujt ata që sillen në forma primitive, andaj ata duhet të ndryshojnë – e jo anasjelltas.)
Feminizmi, pra, është thirrje drejtuar si femrave, ashtu edhe meshkujve: Bashkohuni kundër diskriminimit gjinor. Luftoni patriarkatin, që si mënyrë të vetme primitive për ta promovuar mashkullin ka ndrydhjen e femrës. Sepse kështu, në një botë të xhuxhëve të ndrydhur, nuk rritet e piqet mentalisht as mashkulli; sepse kështu shtypen e ndrydhen resurset e gjysmës së njerëzimit: rrjedhimisht, edhe gjysma e resurseve të kombit shqiptar./A.A.