“Feminizëm”, fjala më e kërkuar për 2017 në fjalorin online “Merriam-Webster”
Viti 2017 njohu lëvizje revolucionare sikurse ishte dhe fushata online #MeToo, ndaj nuk surprizon fakti që fjala më e kërkuar në fjalorin online “Merriam webster” është fjala feminizëm.
Burime nga stafi i fjalorit “Merriam-Webster” u shprehën se fjala “feminizëm” ishte fjala më e kërkuar në këtë fjalor online, duke gjeneruar 70% më shumë kërkime sesa viti i kaluar. Kjo rritje drastike e interesit për këtë term është e lidhur me disa aktivitete të rëndësishme për këtë vit që lidhen me çështjet e grave.
Statistikat dhe të dhënat empirike të kërkimeve në këtë fjalor tregojnë se termi u kërkua shumë në disa periudha të caktuara si përshembull gjatë muajit janar, pra pas marshimit të grave në Washington, një marshim i zhvilluar pas inagurimit të Presidentit Trump.
Fjala u kërkua sërish shumë gjatë muajit shkurt, kur këshilltarja pranë Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway rrëfeu gjatë Konferencës të konservatorëve për aksion politik se ishte e vështirë për të ta cilësonte veten si një feministe pasi për të ky term nënkuptonte “ të qenurit kundër burrave dhe përkrahëse e abortit”.
Por nuk ishte vetëm barometri politik që rriti interesimin për këtë term. Kërkime të shpeshta për termin në fjalë u vunë re gjatë lançimit të disa serialeve me fokus feminizmin.
Më pas lëvizja #MeToo fitoi popullaritet, ku me miliona vajza e gra ndanë virtualisht historitë e tyre në lidhje me ngacmimin seksual që ato kanë ndeshur në jetë. Ndaj në këtë periudhë termi është kërkuar intensivisht në fjalor./k.m/
Burimi: CNN