“FemArt”, për gjashtë ditë do të prezantojë 100 artiste
Data 7 tetor do të sjellë edicionin e tretë të Festivalit FemArt, i cili për dallim nga dy edicionet paraprake të tij, ka ndryshime të dukshme në aspektin pozitiv. Sipas drejtoreshës së këtij festivali, Zana Hoxha Krasniqi, e veçanta e këtij edicioni të festivalit FemArt janë panelet e diskutimit që realizohen me aktiviste të njohura, dhe sipas saj, temat nuk janë klishe, janë shumë të këndshme për tu diskutuar.
“Të gjitha kategoritë janë të prezantuara mjaft mirë, ajo që e bënë të veçantë këtë vit festivalin është se ka pasur aplikime të shumta këtë vit, me shfaqje, ekspozita dhe me koncerte, kështu që ne e kemi rritur programin në krahasim me vitin e kaluar në këto fusha. Është rritur edhe numri i premierave apo programet që janë krijuar enkas për këtë festival apo që prezantohen për herë të parë në Kosovë”, thotë Krasniqi.
Pjesë e rëndësishme e këtij edicioni të FemArt, janë edhe Work shop-et. Këtë edicion do të ketë punëtori të teatrit, të shkrimit, punëtori që kanë të bëjnë me ngritjen e kapacitetit të vajzave të reja si dhe ka prezantime që bëhen enkas me shkrimtare dhe me aktiviste.
“Çdo edicion ka qenë rritje e dyfishtë e edicionit paraprak, prandaj i bie që ky edicion është rritur 100% në krahasim me vitin e kaluar, siç ka ndodhur edhe në edicionin e vitit të kaluar nga edicioni i parë”, tregon për KultPlus, Zana Hoxha Krasniqi.
“Rritja e festivalit ka ardhur jo vetëm në numrin e aktiviteteve të cilat ndodhin, por në të njëjtën kohë rritja është edhe në cilësinë e programit, programi gjithashtu ka rritje edhe me numrin e hapësirave, pasi ai realizohet në 9 hapësira. Është numri më i madh i angazhuar i njerëzve në zhvillimin e programit por edhe në mbarëvajtjen e festivalit, duke qenë që festivali vitin e parë është mbajtur për 4 ditë, vitin e dytë 5 ditë ndërsa këtë vit mbahet për 6 ditë”, sqaron me tej ajo.
E pyetur se cili program është më interesant në FemArt në këtë edicion, nga 35 sa janë gjithsej, Zana thotë që gjithçka është interesante, duke u nisur nga vetë hapja e festivalit, sipas të cilës do të jetë një prej ngjarjeve kryesore. “Ne jemi shumë të nderuar me secilën artiste që ka pranuar të prezantojë punën e saj, si nga artistet kosovare, ato të rajonit, të Evropës dhe Amerikës. Festivali nuk është “One women show”, është një show i të gjitha artisteve dhe unë nuk do të ndaja asnjërën. Secila artiste ka një bagazh të fuqishëm. Këtë vit ka pasur vullnet më të madh të pjesëmarrjes se sa viteve të kaluara, mirëpo këto kanë qenë mundësitë tona. Festivali tashmë ka krijuar reputacion dhe nuk është shumë vështirë. Kushtet të cilat ne i ofrojmë si festival janë kushte që tentojnë t’i trajtojnë artistet me dinjitet” , thotë në fund, drejtoresha e Festivalit FemArt, Zana Hoxha Krasniqi.
Festivali FemArt do të filloj nga data 7 tetor për te vazhduar gjer me 12 tetor, ku pjesëmarrës do të jenë 100 artiste, në 35 programe të kategorive të ndryshme./A.A.