Ermina Lekaj- Perlaskaj nga Zymi i Hasit, shqiptarja e parë deputete në Kroaci
Voal – Sipas rezultateve të deritanishme të zgjedhjeve në Kroaci, vendin në parlamentin e këtij shteti e ka siguruar edhe një shqiptare, Ermina Lekaj- Perlaskaj e cila ka prejardhjen nga Zymi i Hasit të Komunës së Prizrenit. Ajo ka fituar me në një diferencë prej tre votash më shumë sesa kandidati tjetër shqiptar, Idriz Sulejmani.
Një aktiviste e palodhshme e çështjes kombëtare, Ermina gjithnjë është angazhuar për mirëqenien e shqiptarëve të Kroacisë. E lindur në Kosovë, Ermina është arsimuar në Rjekë. Është juriste e diplomuar, si dhe ka të dhënë provimin e jurisprudencës. Aktualisht është duke vijuar studimet pasuniversitare në Menaxhim të Marketingut. Falë përgatitjes profesionale ajo punon si konsulentë për prokurim publik ndërsa nga viti 2000 është e punësuar si drejtore për çështje juridike – ligjore, publike dhe kadrovike në Ujësjellësin Zhrnovnica d.o.o., në Novi Vinodolski.
Falë punës dhe angazhimit të saj Ermina vendosi të kandidojë për ulësen e deputetes në zonën elektorale XII, si kandidate e pavarur për pjesëtarët e minoriteteve kombëtare shqiptare, boshnjake, malazeze, maqedonase dhe sllovene.
Kandidatja Ermina Lekaj Përlaskaj garoi nën moton “Dil voto, vendos për veten”.
Ajo u premtoi pakicave, se nëse votojnë për të, nuk do t’i zhgënjej.
Ermina Lekaj Përlaskaj garoi për herë të dytë. Katër vjet më parë, ajo ishte shumë afër fitores, por nuk arriti të fitojë ulësen e deputetes për një numër të vogël të votave.
Ndërsa kësaj here ia doli.
I urojmë suksese dhe realizimin e premtimeve!/A.A.