Ekstremizmi fetar dhe gratë
Përfshirja e perspektivës gjinore në trajtimin e ekstremizmit fetar së fundi është bërë pjesë e angazhimit dhe diskursit global për parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni. Anashkalimi i kësaj perspektive do të pengojë trajtimin multidisiplinar të këtij fenomeni. Në të gjitha grupet radikale ekstremiste, gratë janë pjesë strategjike e tyre. Pozita dhe roli i grave të përfshira në këto grupe është që nga ajo indoktrinuese e deri te pjesëmarrja direkte në aktivitete luftarake.
Gjatë trajtimit të pozitës së grave në ideologjitë ekstremiste nuk u arrit që subjekti grua të trajtohet përtej pozitës sociale që ka në familje dhe në shoqëri. Duke e zhveshur nga ky rol, strategjitë e parandalimit dhe luftimit arritën të njohin më mirë përfshirjen e saj.
Gratë, ndihmëse apo rekrutuese
Teuta, 36 vjeçare, nënë e tre fëmijëve prej disa muajsh çdo javë viziton burrin, i burgosur nën dyshimin për përfshirje në vepra penale të rekrutimit, organizimit dhe pjesëmarrjes në grupe terroriste.
Ajo pohon se aktualisht për aspektin social kujdeset i vëllai. E martuar që 16 vjeçe, në familjen e burrit të saj ajo kishte gjetur një frymë të sforcuar religjioze.
Gjithçka ndryshoi tre vjet më parë, kur besimi i tyre pësoi një transformim radikal. Burri i saj qëndronte shpesh për vizitë në Turqi, me arsyetimin se po bënte biznes. Përfshirjen e tij në grupet radikale islamike, Teuta e cilëson manipulim me besimin e fuqishëm se ai është i pafajshëm.
Kjo pjesë e rrëfimit përmbyllet muaj më parë, kur burri i saj, që shtirej si biznismen, përfundon prapa grilave nën dyshimin për përfshirje në grupet e islamit radikal.
Ndonëse e mbuluar, në shtëpinë amnore, ajo nuk mbante mbulesë. Në këtë frymë ajo ka edukuar edhe vajzën e saj, e cila nga mosha 16 vjeçe është mbuluar. Djali i mesëm i saj ndjek një shkollë teologjike në Egjipt, ndërkaq djali më i vogli kultivon besimin në frymën e të atit.
Teuta mohon të ketë pasur dijeni për përfshirjen e burrit në islamin radikal dhe beson që ai të jetë manipuluar nga dikush, të cilin ajo nuk arrin ta emërtojë.
Ky është rrëfimi i njërës nga gratë, burrat e të cilave janë përfshirë në aktivitete të ekstremizmit fetar. Por, nuk është rasti i vetëm.
Një grua 23 vjeçe nga Mitrovica, së bashku me dy fëmijët, prej një viti jeton në Siri. Ajo u bë pjesë e luftës, duke ndjekur pas burrin, i cili ishte bashkëngjitur luftës në Siri, muaj më parë. Një grua tjetër, 30 vjeçare është kthyer nga Siria, me ndihmën e babait të saj, pasi bashkëshorti i ishte vrarë nga sulmet ajrore në Irak. Një 23 vjeçare nga Drenasi, po ashtu ishte pjesë e ISIS-it, teksa 30 vjeçares nga Prishtina i është rrëmbyer djali 8 vjeç nga bashkëshorti i saj, i cili i është bashkëngjitur luftës në Siri.
Nga rastet e prezantuara në media dhe dëshmitë, del se gratë mbajnë pozita dhe role të ndryshme karshi përfshirjes së tyre në ekstremizmin fetar. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri i grave dhe vajzave të përfshira në luftën e Sirisë dhe Irakut është afro 20 me shkollim të ulët.
Faktorët të cilët shpiejnë gratë në luftrat në Siri dhe Irak, sipas Policisë janë: shkuarja pas bashkëshortit, dëshira e tyre për të qenë pjesë e luftrave si dhe komunikimi me personat nga organizatat terroriste ISIS dhe Al – Nusra.
Duke nxjerrë në pah perspektivat e grave, rrëfimet e tyre luajnë një rol të rëndësishëm për të kuptuar se në cilat pozita gjenden ato karshi përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në ekstremizimin fetar.
Kjo perspektivë gjinore e sigurisë njerëzore, përfshin të kuptuarit më të nuancuar se çfarë mund të ngërthejë perspektiva e burrave dhe grave mbi sigurinë. Gratë për dallim nga burrat e adresojnë dhe e perceptojnë sigurinë dhe riskun në mënyra të ndryshme. Ndaj, përfshirja e perspektivës gjinore në çështjet e sigurisë luan një rol të rëndësishëm në avancimin e mekanizmave të krijimit të sigurisë për të gjitha kategoritë.
Të dhënat e ndara në bazë gjinore mund të sigurojnë dhe identifikojnë një pasqyrë më të hollësishme të përfshirjes së burrave dhe grave në proceset e ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm. Pikërisht krijimi i tillë i të dhënave të kategorizuara ndihmon në krijimin e strategjisë së fushatave vetëdijësuese si dhe adresimin e parandalimin.
Për shkak të roleve të ndara gjinore në familje dhe komunitet, gratë dhe burrat janë pjesë e dimanikës të zhvillimit në procesin e radikalizmit. Prandaj, një parakusht për një politikë efektive është për të kuptuar kompleksitetin e ekstremizmit të dhunshëm, duke përfshirë edhe analizat empirike të fokusuara në nxjerrjen në pah të rrëfimeve të ndryshme të grave dhe vajzave. Analizat e realizuara duhet t`i shmangen stereotipeve, sipas të cilave gratë dhe vajzat ndonjëherë i bashkohen grupeve terroriste nëpërmjet dhunës ose ato janë vetëm shënjestër për të luajtur role ndihmëse.
Analizat duhet gjithashtu të zhvillohen nga modalitete specifike ku gratë dhe vajzat radikalizojnë dhe rekrutojnë të tjerët.
Fuqizimi i grave si preventivë ndaj radikalizmit
Gratë mund të jenë agjentë të fuqishëm të ndryshimit dhe madje luajnë një rol vendimtar në zbulimin e shenjave të hershme të radikalizimit dhe të intervenojnë përpara se individët të bëhen pjesë e aktiviteteve ekstremiste.
Për më tepër, siç e përshkruan edhe Rezoluta 1325 e OKB-së, gratë janë të prekura në mënyrë disproporcionale nga dhuna gjatë konfliktit, dhe në shumë vende të ndryshme ato kanë luajtur role të rëndësishme në përpjekjen për të parandaluar dhunën. Në këtë kontekst, perspektiva gjinore luan një rol të rëndësishëm për të identifikuar shtrirjen e radikalizimit fetar në Kosovë.
Gratë, siç mund të luajnë rol të rëndësishëm në parandalim, duke qenë më afër komunitetit, gjithashtu mund të luajnë rol të rëndësishëm edhe në promovimin e ideologjive dhe grupeve të dhunshme.
Rritja e ndërgjegjësimit të grave dhe vajzave në të kuptuarit e ekstremizimit fetar në Kosovë është e nevojshme në mënyrë që ato të jenë në gjendje të ngrihen kundër tij. Megjithatë, duke përcaktuar shenjat e hershme paralajmëruese të këtij procesi, kjo gjë është e vështirë praktikisht. Përvojat e vendeve të tjera rekomandojnë se fuqizimi i grave për të ndarë historitë e tyre në sferën publike mund ta inkurajojë komunitetin në vetëdijësim karshi përhapjes së ekstremizimit fetar.
Dëshmitë nga viktimat e terrorizmit mund të jenë shembuj që i shërbejnë grave dhe vajzave për të rritur ndërgjegjësimin në percpetimin e informatave manipuluese dhe propagandistike që vijnë nga grupet e ndryshme ekstremiste.
Një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe mospërfshirjen e grave në ekstremizimin fetar luan edhe fuqizimi i grave në shoqërinë civile dhe aktorët e tjerë të shoqërisë civile që punojnë në fushën e të drejtave të grave, veçanërisht me grupet e grave. Këta aktorë tashmë kontribuojnë në shumë mënyra përmes aktiviteteve që përfshijnë parandalimin e konflikteve, ndërtimin e paqes, ndihmën humanitare, reformën e sektorit të sigurisë, promovimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe aktivitete të tjera për avancimin e grave.
Për më shumë klikoni: m.gazetaexpress.com