E bukur, vulgare, apo ti?
Ka emrin e Angeline Jolie, Jennifer Lawrence, Sarah Jessica Parker apo Kim Kardashian? Është e bukur Bleona Qerreti, Enca, Armina, Gugu apo Xhugu. Nga dolën gjithë këto emra me tipare të skalitura me tatoo, fillersa permanent, kirurgë plastike “jabanxhinj”, që vijnë për një ditë dhe kthehen çdo një muaj për të punuar të pataksuar, të gjithë këta ikanakë nga shteti që kërkon të ngrihet. Këta emra dhe fytyrat e tyre enden gjithandej, bëjnë xhiro në postera e rubrika showbizi, në televizione e portale. Janë kthyer në qëllimin e jetës së një rinie të paqëllimtë, që nuk ka të ardhme, apo më saktë e kërkon nëpër buzë të fryra e gjokse abondante, vithe të mëdha e vetulla të zhgarravitura keqazi, qerpikë të zgjatur e thonj të tmerrshëm; sepse në fund të fundit kjo është çfarë shohin e çfarë u ofrohet. Në femijërinë time shihja me adhurim Xhina Lolobrixhidën dhe Sofia Loren. Merylin Monroe dhe Elizabeth Taylor ishin dy bukuri të tjera amerikane. Shihja Brigitte Bardot dhe Mirelle Matie. Krahasuar me figurën e pakuruar të “mamasë komuniste”, ishin të mrekullueshme. Ndoshta prej tyre u edukova estetikisht në konceptin tim për të bukurën. Më vonë njoha Grace Kellyn e Audrey Hepburn, Juliette Binoche, Vanessa Paradise, Julia Roberts e Cindy Crawford. Perceptimi im për të bukurën mori të tjera përmasa. Sot, ndërsa si mjeke dermatologe ndjehem pjesë e përpjekjeve për të bukurën, jam shumë e ngatërruar për atë që vërtetë është e bukur. Në perceptimin tim, ajo çfarë kultura shqiptare e showbiz ofron për të bukurën, është vulgare. E bukur apo seksi, e zhveshur apo e veshur, broçkulla pa fund nga fytyra seksi apo fjalë të mençura nga vajza të lexuara? Nuk ka më dilema të tilla. Gjithçka është hedhur në treg vetëm për konsum seksual. Je me buzë të trasha, vetulla tattoo, gjoks e prapanica të mëdha; atëherë plotëson të gjitha kriteret për tu venë në qendër të vëmendjes. Me ty merret media, portalet online, je VIP dhe të hapen menjëherë dyert e ekraneve, që në fakt duhet të jenë të shenjtë. Nuk ka më filtra morale, parimore e mediatike. Ti del ne ekran, flet sikur gojën e ke të mbushur me qofte, shpalos injorancën dhe mungesën e kontaktit me Abetaren dhe të shohin me mijëra vajza të reja, që janë të hutuara nga mungesa e të ardhmes dhe mungesa e shembujve publikë se mund t’i dilet edhe ndryshe. Ti je një viktimë e boshllëkut tënd, vendos edhe çmime publikisht se sa kushton një natë me ty dhe mediat bien në kurthin tënd naiv se kanë bërë “zbulimin e madh mediatik” dhe papritur je ne çdo faqe reviste e gazete të printuar apo elektronike. Dhe ndër të tjera të quajne edhe “të bukur” dhe shtojnë numrin e viktimave në radhet e vajzave të vogla. Ky është perceptimi për “të bukurën” sot në Shqipëri. Personalisht dhe profesionalisht ndjehem e keqardhur për këtë. Po aq të keqardhur duhet të ndjehen edhe prindërit e 15 vjeçareve që “bëjnë” buzët fshehurazi nëpër kioska me një Zot e di çfare substancash. Po aq të keqardhur duhet të ndjehemi si shoqëri kur shohim se të vetmet foto të dy motrave që i qëlloi i ati e që jetonin në mizerje, ishin “selfie”. Vajza qe kushedi sa palë mbathje kishin në dollapet e tyre të zbrazët, por një “selfie” e kishin patjeter. Nuk e di se sa janë në numër ata që e duan këtë bukuri. Para disa netësh, ndërsa po shihja Sanremon tek RAI1, mbeta e mahnitur. Dhe mu rikthye perceptimi për të bukurën. Të jesh e bukur do të thotë të jesh TI, vetë, me një rimel e me buzë Rouge (të kuqe). Të jesh e embël dhe e pastër. Pa të dhunuar në pamjen që ta ka falur Zoti, modeli që ofron shoëbizi. Të ndjehesh mirë me buzët, me sytë, me fytyrën. Të luash me ngjyrat e flokëve dhe të përpiqesh të gjesh në fytyrën tënde sytë e nënës, mjekrën e babait, mollëzat e gjyshes. Dhe kur tu kthehesh pas fotove ne celular, të shikosh që të gjitha keto tipare kanë humbur naivitetin thjesht prej viteve e jo se ca të cmeritur u benë idhujt e tu të një moshe të dlirë e të hutuar./A.A.