11 Shkurti shënon Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, një ditë e krijuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në vitin 2015, për të njohur dhe duartrokitur arritjet e vajzave dhe grave në shkencë si dhe për të inkurajuar përfshirjen e tyre.
Viti që lam pas, tregoi bindshëm rolin e rëndësishëm të grave dhe vajzave në fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor. Özlem Türeci, shpikëse e vaksinës së komapnisë Pfizer Covid-19, Emmanuelle Charpentier dhe Jennifer Doudna, fituese të Nobelit në Kimi, si edhe Andrea M. Ghez, fituese e çmimit Nobel në Fizikë, janë vetëm disa nga shembujt e shkencëtareve që shënjuan vitin e vështirë 2020.
Një rol të rëndësishëm patën dhe mjeket, infermieret, epidemologet dhe punonjëset e kujdesit shëndetësor, në Shqipëri dhe në të gjithë botën, të cilat qëndruan e vijojnë të përballen në frontin e parë me pandeminë e Covid-19.
Sipas Kombeve të Bashkuara, 70% e stafeve mjekësore dhe atyre të kujdesit shëndetësor në botë janë gra.
Në historitë e suksesit, UNWomen e nis artikullin me figurën e një mjekeje shqiptare, Doktoreshë Entela Kolovani, mjeke në Spitalin infektiv në Tiranë.
“Në fillim u ndjeva e frikësuar se mos infektohesha apo transmetoja sëmundjen, por në fund të fundit, të duhet të bësh punën për të cilën je tranuar”, thotë Dr.Kolovani, duke shtuar se infermieret janë heroinat e vërteta të kësaj përballjeje.

Pavarësisht se shpeshherë të lëna jashtë vëmendjes së publikut, gratë dhe vajzat në Shqipëri, kryesojnë kërkimin shkencor dhe numrin e doktorëve të kërkimit shkencor në shkenca të ndryshme.
Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2020, 66.4% e të diplomuarve në sistemin universitar në vend janë vajza dhe njëkohësisht pjesa më e madhe e docentëve dhe doktorëve (PhD) përbëhet gjithashtu nga vajza dhe gra.

Sipas raportit “Burra dhe Gra 2020”, fusha e studimit, më e dominuar nga gratë e diplomuara është arsim (81,4 %), ndjekur nga fusha e shëndetit dhe mirëqenies (79,1 %), dhe arte dhe shkenca humane (78,2 %). Nga rezultatet kuptojmë se gratë jo vetëm luajnë një rol të rëndësishëm në shkencë, por ato kanë dhe një rol të rëndësishëm në përgatitjen shkencore të brezave të ardhshëm.
Gara për zbulimin e vaksinës dhe përballja me pandeminë e Covid-19 nxorri në pah qindra kërkuese dhe shkencëtare në shumë vende të botës dhe kontributin që ato kanë në shoqëri përtej kufijve të vendeve të tyre.
Dita e sotme është një ditë falenderimi dhe përgëzimi i punës së grave dhe njëkohësisht inkurajim për të gjithë vajzat që janë të interesuara për shkencë.
Në fjalët e Tureci, shpikëse e vaksinës së Pfizer:
Është e rëndësishme të kesh një vizion, dhe mos ta lësh atë të iki!
Burimi i fotos: UN