Didi: Vajzat dhe gratë në polici janë faktor i rëndësishëm për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj tyre
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z.Artan Didi, mori pjesë në takimin e rrjetit të Grave të Policisë për Europën Juglindore. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e vlerësoi WPON, si një partner serioz në përpjekjet e përbashkëta për implementimin e barazisë gjinore në organizatën e Policisë Shqiptare dhe njëkohësisht bëri një ekspoze të disa prej akteve kryesore ku mbështetet barazia gjinore dhe diversiteti në Policinë e Shtetit, siç janë “Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore”, politikat e organizatës së Policisë të shprehura në deklaratën mbi diversitetin në Policinë e Shtetit, si dhe masat e parashikuara në Strategjinë e re te zhvillimit te Policisë se Shtetit për periudhën 2014-2020. Po ashtu Z. Didi evidentoi dhe hapat e ndërmarrë për rritjen e rolit të grave në Policinë e Shtetit.
“Në planet tona të veprimit, krahas rritjes së përfaqësimit të femrave në shërbimin policor, ne kemi parashikuar detyra të veçanta për “Integrimin e çështjeve të diversitetit në kurrikulat e Trajnimit Policor”, si dhe për monitorimin e vlerësimin periodik të impaktit të përftuar.
Rritja e përfaqësimit të grave dhe vajzave në shërbimet policore, por edhe përfaqësimi i tyre në të gjitha shërbimet dhe nivelet, janë pikat kyçe jo vetëm të rritjes së performancës së shërbimit policor, por edhe një faktor i rëndësishëm për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave, duke i bërë ato të ndihen të përfaqësuara, por dhe konfidente për raportimin e rasteve të dhunës ndaj tyre.
Integrimi gjinor në organizatën e Policisë, nuk është i lehtë sa ç’duket në pamje të parë. Në pranimet e reja për punonjës policie këtë vit, ne kemi aplikuar raportin 50% femra dhe 50% meshkuj, e cila do të vazhdojë edhe në vitet e mëpasme, për të arritur në 17% të limitit organik në fund të vitit 2020. Kjo politikë, në të ardhmen do pasohet edhe me promovimin e më shumë femrave në funksionet drejtuese operacionale.” – u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Ky është takimi i pestë i Rrjetit të Grave të Policisë të Europës Juglindore, ku bëjnë pjesë përfaqësuese të larta të shërbimeve policore të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë.
Ky rrjet ka si qëllim kryesor rritjen e ndërgjegjësimit në lidhje me pozicionin e gruas në Shërbimet Policore të Europës Juglindore dhe mbi të drejtat e grave, ngritjen e kapaciteteve për praktikat e policimit me ndjeshmëri gjinore në Europën Juglindore, si dhe ndikimin e rrjetit në nivel kombëtar.
Lexo më shumë në Balkanweb