Aktivistja Gresa Hasa, rrëfen më shumë për manifestimin në kuadër të fushatës “Un violador en tu camino”, e cila nisi nisi në Kili dhe menjëherë u përqafua nga gratë anembanë botës.
Ditën e djeshme, aktivistet e Organizatës Politike, bashkë me të tjera vajza e gra feministe, aktiviste të të drejtave të njeriut, si dhe aktiviste të komunitetit LGBTI+, zgjodhën të sillnin në jetë versionin shqip të himnit feminist tashmë mbarëkombëtar, “Dhunuesi je ti!”.
Është fjala për një manifestim simbolik, zanafilla e të cilit gjendet në Kili. Gjatë protestave masive atje, jo pak gra u përdhunuan dhe vranë andaj, gratë kiliane vendosën të rebeloheshin kundër dhunës shtetërore që i cenon drejtpërdrejtë si gra, jo thjesht e vetëm si qytetare të Republikës së Kilit.
Afërmendsh, feministet shqiptare e përshtatën himnin duke e sjellë atë sa më pranë realitetit të këtushëm.
Vargjet e tij flasin për të gjitha gratë: për vajzat dhe gratë punëtore të fasonerive e çdo subjekti tjetër privat që i shfrytëzon ato në punë duke i paguar keq e dhunuar si punëtore dhe gra; për vajzat dhe gratë që përdhunohen e vriten e më pas fajësohen për dhunën e ushtruar ndaj tyre; për çdo vajzë e grua që është e dënuar të vuajë nën kthetrat e një shteti kapitalist e patriarkal.
Qëllimi i këtij manifestimi simbolik është që t’i kontribuojë fushatës ndërgjegjësuese për drejtësi sociale dhe liri të barabarta mes anëtarëve të shoqërisë sonë.
Sot shteti shqiptar ka fytyrën e një burri të dhunshëm. Një burrë i pasur, i bardhë, sadist. Një burrë hajdut, vrasës, përdhunues. Një burrë si Samir Mane, Shefqet Kastrati, Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha. Një burrë si Erion Veliaj. Këta janë burrat në krye të institucioneve shtetërore, gjykatave, kryeministrisë, policisë… . Kjo është klika e oligarkisë shqiptare që i ka drejtuar çizmen e hekurt një shoqërie të tërë, pasojat e së cilës i vuajnë veçanërisht vajzat e gratë dhe më të dobëtit…
Lufta kundër tyre nuk është më zgjedhje e jona! Rezistenca ndaj këtij pushteti degradues është e vetmja rrugë dinjitoze mbijetese.
Ku ka revoltë ka shpresë dhe sot në Shqipëri vajzat dhe gratë përbëjnë potencialin më të madh të përpjekjes emancipuese e demokratike për të instaluar shoqërinë e re sepse ato e përjetojnë shtypjen në disa shtresa e njëkohësisht, sepse ato përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë sonë… .
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2019/12/80683665_10218139927262813_6765647434887462912_n.jpg)
Gresa Hasa
Foto: Nensi Bogdani