Dhuna ndaj gruas, flet aktivistja Gresa Hasa
Ka kaluar më shumë se një javë nga vrasja e Fildez Hafizit në Tiranë, ngjarje që shokoi opinionin shoqëror në vend për shkak të “paaftësisë” së ligjit për parandalimin e dhunës dhe përshkallëzimin e saj në vdekje. Por rasti i Fildezit nuk ishte i pari, në vitet e fundit dhjetëra gra dhe vajza kanë qenë viktima të dhunës në familje nga bashkëshortët apo familjarët e tyre.
Në datë 4 shtator, pak ditë pas vrasjes së Fildezit, nën organizimin e Ivana Dervishit, gazetare e rrjetit investigativ BIRN dhe studentja Entenela Ndrevataj, dhjetëra aktivistë dolën në protestë kundër dhunës gjinore. Vëmendje të veçantë gjatë protestës mori dhe një nga pankartat që mbahej në dorë nga Gresa Hasa, aktivistja për të drejtat gjinore, specifikisht të drejtat e grave dhe ato të personave LGBT. Fotografia tërhoqi vëmendjen për shkak të përmbajtjes ironike të pankartës dhe u shpërnda masivisht në media dhe rrjetet sociale.
Gresa Hasa, studente në degën e Shkencave Politike dhe kontribuese e rregullt në revistën online ‘’Peizazhe të fjalës’’ me artikuj me përmbajtje sociale, politike dhe kulturore tha ndër të tjera në një bisedë për Historia Ime se rasti i Fildezes nënkupton vetë vdekjen e sistemit ligjor.
“Rasti i Fildezes nuk është rast i izoluar. Ai është një tjetër shembull se si shteti shqiptar meriton të quhet i tillë vetëm në letra. Fildeze Hafizi sikurse të gjitha viktimat e mëhershme kanë qenë të pajisura me urdhër mbrojtjeje. Këto urdhra mbrojtjeje kanë qenë fiktiv, sikurse i gjithë sistemi ynë i drejtësisë”.
E pyetur rreth interpretimeve që iu bënë pankartës që ajo mbante gjatë protestës, Gresa thotë se i sheh ato si tregues të mendësisë së shoqërisë ku bëjmë pjesë.
“Pankarta bëri zhurmë për dy arsye: të parit e tjetrit si objekt pronësie dhe si objekt seksual. Një pjesë e konsiderueshme e djemve dhe burrave të shoqërisë sonë për një çast e projektuan veten e tyre në vendin e gruas dhe gruaja në shoqërinë tonë është e shtypur dhe e dhunuar. Identifikimi me këtë shtypje dhe dhunë, qoftë virtualisht, pra vetëm duke u imagjinuar, shkaktoi tronditje dhe reagim. Po ndërkohë, pse dhuna dhe shtypja aktuale ndaj gruas merren për të mirëqena? Së dyti, zgjedhja e një fjale sinonime dhe që konsiderohet vulgare për organin gjenital mashkullor, shkaktoi potere sepse po të njëjtët djem dhe burra u fyen kur u trajtuan si objekt seksual ndaj të cilëve po shkarkohej mllefi dhe revolta. Ҫ’mund të themi atëherë për ngacmimet seksuale me të cilat ballafaqohen vajzat dhe gratë përditë në rrugë, në shkollë, në punë, e gati në çdo mjedis të përbashkët? Po për objektifikimin e vajzave dhe grave në media; prostituimin mediatik të imazhit të gruas dhe trajtimin e saj si një “copë mishi” detyra e së cilës mendohet të jetë shuarja e epsheve të burrave ose riprodhimi, mundësisht duke u dhuruar atyre trashëgimtarë meshkuj dhe kaq? Duhet kuptuar se problemi ynë nuk është burri por sistemi. Në një sistem të këtillë ku ligji nuk funksionon dhe arsimi është i kalbur, tradita patriarkale e mendësia e dhunës do vazhdojnë të rijetëzohen. Kjo traditë dhe mosfunksionimi i shtetit na kushton njëlloj si burrave ashtu edhe grave. Të dyja palët janë viktimë e një sistemi të këtillë”.
Gresa shprehet gjithashtu se një rol të rëndësishëm në interpretimin e dhunës luan media. Ajo thotë se në media dhuna transmetohet si spektakël dhe e nxit atë nëpërmjet prostituimit të imazhit të gruas, objektifimit të saj dhe glorifikimeve mizogjine.
Duke qenë e angazhuar në çështjet gjinore, e pyetur për një lëvizje feministe në Shqipëri ajo përgjigjet: “Nuk ekziston një lëvizje feministe në Shqipëri. Janë individë, vajza dhe gra, djem dhe burra, të cilët e identifikojnë veten e tyre si feministë por nuk është ende e qartë se për ç’lloj feminizmi bëhet fjalë dhe se çfarë nënkuptohet konkretisht. A është koha për një lëvizje të tillë? Patjetër. Madje jemi vonë. Por fillimisht duhet qartësuar tabani për ndërtimin e kësaj lëvizjeje. Ҫfarë do të thotë ‘’feminizëm’’? Po ‘’feminizëm në Shqipëri’’? Janë pyetje që meritojnë përgjigje dhe debat.’’ /m.g/
Kristina Millona | Historia Ime