Kushdo që ka mbaruar fakultetin e gazetarisë e di mirë që kriteri kryesor i shkrimit të lajmit është interesi publik.
Kur flasim për interes publik, kemi parasysh çështje që prekin realisht jetën e qytetarëve, ose frymëzojnë këta të fundit që të përmirësojnë jetën e tyre.
Me lindjen e mediave online, duket se interesi publik u kthye thjesht në garniturë sa i takon shkrimit të lajmit, dhe kriter kryesor u bë kurioziteti publik.
Në fakt është qesharake kur e mendon që në botë ka afërsisht 5 shpikje të reja çdo ditë, por asnjë prej tyre nuk duket se e sheh dritën e medias online në Shqipëri.
Por dritën e munguar sa u përket lajmeve mbi zhvillimin e njerëzimit përmes shpikjeve, apo veprimeve që e meritojnë vërtet një artikull, duket se në median shqiptare e zënë lajmet mbi dekoltetë dhe të pasmet e grave.
Në një raportim kryer nga Historia ime, për muajin nëntor 2021 kemi arritur të gjejmë përfundime interesante.
Për të qenë më korrektë sipas një raportimi të strukturuar për median online “Syri. Net”, për muajin nëntor mund të gjejmë jo më pak se gjashtë artikuj që kanë si përbërje të titullit fjalën gjoks apo dekolte.
Në po të njëjtin muaj në “Syri. Net” kemi gjithashtu gjashtë artikuj që kanë në titull fjalën çmend shoqëruar me togfjalësha që vënë në pah sigurisht ose dekoltenë, ose të pasmet e grave të famshme, ose krejt trupin e tyre.
Në fakt është gati sarkastike të mendosh që pasi shpikëm rrotën, kompjuterin, smartphonat, madje dhe sisteme të tëra të komplikuara, që kanë arritur të na çojnë përtej planetit, ende nuk mund t’i shohim gratë si qenie njerëzore përtej dekoltesë apo të pasmeve që çmendin dynjanë./ Arjola Hajdini