Ditën e djeshme, në afërsi të Parlamentit, është sulmuar fizikisht Anxhela Hoxha, një grua transgjinore, nga një grup djemsh rreth të njëzetave
Pjesëtarja e komunitetit transgjinor, e pastrehë prej 20 vitesh, është përndjekur dhe sulmuar, duke u targetuar për marrjen pjesë në paradën e fundit të lezbikeve në Tiranë.
Nga goditjet e shumta, Anxhela ka humbur vetëdijen dhe në mungesë të ndihmës së qytetarëve, është detyruar të drejtohet e plagosur drejt Aleancës LGBT për të kërkuar ndihmë. Stafi i Aleancës njoftoi menjëherë Ambulancën dhe Policinë dhe shoqëroi Anxhelën për në spitalin e traumës.
Pas ekzaminimeve dhe marrjes së dëshmisë nga ana e Policisë dhe në vijim të zbardhjes së ngjarjes, u bëjmë sërish thirrje autoriteteve ligjzbatuese të identifikojnë sa më shpejtë autorët dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.
Njëkohësisht i bëjmë thirrje dhe institucioneve përgjegjëse për përkujdesjen sociale, strukturave të Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për ofrimin e strehimit për Anxhelën.
Kërkojmë publikisht një takim me kryebashkiakun Erion Veliaj, për të diskutuar mundësitë e zgjidhjes së rastit të Anxhelës, për të cilën prej më shumë se 10 vitesh nuk është gjetur ende një zgjidhje.
Rikujtojmë autoritetet përgjegjëse se e drejta për strehim dhe standardeve minimale të jetesës është një e drejtë themelore e njeriut!
Dhuna sistematike, braktisja dhe diskriminimi janë realiteti i shumë pjesëtarëve të komunitetit LGBTI+ e kryesisht atij transgjinor në Shqipëri. Ky realitet duhet të dënohet nga të gjithë dhe institucionet duhet të bëjnë punën e tyre përpos strategjive dhe planeve të mbetura në letër.
Anxhela është në krye të lëvizjes për drejtësi sociale dhe për respektimin e të drejtave të komunitetit transgjinor, e së bashku me të, ne nuk do të dorëzohemi!
#DrejtesiPerAnxhelen
Aleanca LGBT
Pro-LGBT
Streha LGBT