Çeçeni: Ndalohet WhatsApp për gratë
Udhëheqësi i Çeçenisë u ka bërë thirrje burrave të ndalojnë gratë e tyre të përdorin WhatsApp pas zemërimit mbi një martesë të detyruar që është përhapur nëpërmjet mesazheve.
“Mbyllini ato, mos i lini të dalin jashtë, atëherë ato nuk do të postojnë asgjë,” citohet të ketë thënë Ramzan Kadyrov.Kadyrov më parë ka mbështetur martesën e një shefi të policisë ndaj një 17-vjeçareje, edhe pse ai ishte i martuar, në shkelje të dukshme të ligjeve ruse.
Që atëherë shefi i tij i stafit ka propozuar legalizimin e poligamisë në Çeçeni.Kadirov, një udhëheqës autoritar dhe aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, vitet e fundit ka nxjerrë të jashtëligjshme rrëmbimin e nuseve dhe martesat nën moshë.
Ai gjithashtu mendohet të jetë në favor të poligamisë. Ndihmësi i tij më i lartë Magomed Daudov ka thënë: “E gjithë kjo duhet të jetë në përputhje me Sheriatin: Por në qoftë se një burrë mund të mbajë më shumë se një grua, atëherë pse jo?”
Shumica e njerëzve në Çeçeni, një republikë ruse në Kaukazin Verior janë myslimanë.
‘Nderi i familjes’
Para ceremonisë së të shtunës, media lokale raportoi se shefi i policisë Nazhud Guchigov, 47 vjeç, kishte penguar Kheda Goylabiyeva të largohej nga shtëpia e saj dhe kishte kërcënuar familjen e saj me raprezalje në qoftë se ata nuk do i jepnin dorën e saj. Kadirov, i cili mori përgjegjësinë e Çeçenisë me mbështetjen e Kremlinit në vitin 2007, thuhet se ka dhënë bekimin e tij personal për këtë martesë. Kadyrov ka denoncuar diskutimin e martesës në Whatsapp në komentet e transmetuara në Televizionin Shtetëror lokal.
“Stop. Silluni si çeçenë,” raportohet të ketë thënë ai. “Nderi i Familjes është gjëja më e rëndësishme.”
“Mos shkruani gjëra të tilla. Burra, hiqini gratë tuaja nga WhatsApp-i.”
Javën e kaluar ai kritikoi në llogarinë e tij në Instagram mbulimin nga media ruse e martesës duke thënë “kjo bujë është urdhëruar nga disa liberalë”.
“Prindërit e vajzës kanë dhënë bekimin e tyre për këtë martesë”, tha ai, duke argumentuar se raportimet që thoshin të kundërtën ishin mbushur me gënjeshtra. Kadirov ka qenë një aleat kyç i Presidentit Putin, duke shtypur disidentët pasi Rusia rrëzoi qeverinë separatiste në rajon në fillim të shekullit.
Marrë nga: www.bbc.com