Bëhu burrë, mos i nguc femrat
Rrugëtimi i zakonshëm dhjetë minutësh nga banesa në fakultet nuk ishte i njëjtë me ditët e tjera. Askush nuk më shikonte, askush nuk lëshonte ndonjë fjalë ngacmuese, të gjithë shihnin e bënin punën e tyre, por ky realitet i përkryer ishte veç ëndërr sepse është e pamundur që një ditë të kaloj rrugën e të mos përballem me shikime “epshore” e ngacmime seksuale.
“Oh ta hangsha”, “se din çka t`kisha ba”, “o që m`shashtrise e m`qite në flakë”, “për ty si t`lyni isha qkri” këto janë disa nga “komplimentet” që më jepen çdo ditë, dhe nganjëherë them me vete se ku e gjejnë shqiptarët vullnetin që edhe në mëngjeset e hershme të gjejnë kohë për ngacmime. Ngacmimi seksual është çdo formë sjellje e padëshiruar me fjalë ose veprime, fizike ose simbolike me natyrë seksuale, që ka për qëllim ose sjell si pasojë cënimin e dinjitetit personal nga i cili krijohet një mjedis kërcënues, poshtërues, fyes etj.
Disa muaj më parë në vendin tonë ishte organizuar një fushatë sensibilizuese për parandalimin e ngacmimeve seksuale “Take Back the Night”. Kjo nismë me qëllime të mira dhe jo shumë mirë e organizuar u përdor si mjet shakaje nga shumë meshkuj, duke na ironizuar në mënyra nga më të ndryshmet. Pikë e ndjeshme dhe e dobët tek ne është motra, me këtë gjë është dashur të tërhiqet vëmendja edhe më shumë, t`i prekim aty ku i`u dhemb më së shumti që njëherë e përgjithmonë ta kuptojnë se me të vërtet po na turpëroni. Pas kësaj nisme ata kanë vazhduar me tempon e njëjtë, që mund të themi se edhe disa burra të shtyer në moshë janë të përfshirë në këto ngacmime.
Në vitin 2014 numri i viktimave meshkuj për sulme seksuale të raportuar në Polici ka qenë vetëm 3, ndërsa viktima femra 42, që i bie se më pak se 7% e viktimave të ngacmimit seksual janë meshkuj, ndërsa 93% janë femra. Ky është një tregues që gratë janë më të ekspozuara dhe rrezikuara nga këto sulme. Zona ku janë raportuar më së shumti raste është Prishtina, ndoshta pasi kemi qenë të izoluar deri vonë, dhe gratë nuk kanë punuar, shkolluar apo diçka të ngjashme, kjo ka ndikuar që viteve të fundit të rriten sulmet ndaj grave, sikur ata meshkuj të mos kenë parë asnjiherë femra në jetën e tyre. Sulme ka çdo ditë edhe pse nuk janë të raportuara në Polici.
Sipas kodit penal të Republikës së Kosovës në nenin 232 (Sulm Seksual) thuhet që “kushdo që prek personin tjetër me qëllim seksual, pa pëlqimin e tij denohet me gjobë ose me burgim prej një deri në shtatë vjet. Pavarësisht që ligji i mbron gratë, burrat në Kosovë as që duan t`ia dinë, ata vazhdojnë çdo herë e më shumë. Nëse hulumtojmë, shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm që ekzistojnë ligje për këto parandalime dhe kjo është njëra ndër arsyet që ka kaq shumë ngacmime për shkak të mos informimit.
Nëse deri më tani, një femër ka reaguar ndaj një diskriminimi apo sulm seksual dhe ka tentuar ta bëj publike, shpesh ajo është ndalur me frikën se do të mbetet fajtore. Kjo gjendje e shoqërisë nuk lë për të dëshiruar, sepse kemi nevojë të ndryshojmë dhe të jemi të përkushtuar për zhvillimin e vyrtyteve njerëzore.
Bohuni burra që instiktet tuaja t`i kontrolloni dhe mos i shfaqni përmes ngacmimeve seksuale.
Po e përmbyll me disa fjalë, çdo kush ka të drejtë të dal në rrugë i lirë, dua që të lëvizi e lirshme pa i`u ekspozuar ngacmimeve fizike, seksuale apo psikologjike. Me dhunë nuk arrihet asgjë, tek e fundit forca e një mashkulli nuk krahasohet me forcen e një gruaje.
Të dashur shokë, edhe ju keni nënë apo motër, ashtu jam edhe unë për dikë, ndaluni dhe mendoni si ndihen ato pas ngacimeve qe i`u bëhen.
Burrë të bën respekti ndaj gruas./Suzana Hajredini – Studente e Gazetarisë në UP