Pas rezultateve në zgjedhjet lokale në Hesse, kancelarja gjermane e konsideron të papërshtatshëm pozicionin e drejtueses pas humbjes në zgjedhje. “Ka ardhur koha për të nisur një kapitull të ri” u shpreh Angela Merkel në 29 tetor, duke konfirmuar aludimet se nuk do të kandidoj më si drejtuese e partisë CDU. Ajo do të vazhdojë të ushtrojë funksionin si kancelare e Gjermanisë, por është shprehur se ky do të jetë mandati i saj i fundit.
Kjo nënkupton se në 2021 ajo do të përfundojë këtë mandat, për ti lënë vendin një kancelari/kancelareje të re. Para daljes së rezultatit zgjedhor, rikujtojmë se Merkel planifikonte të rikandidonte si kryetare e partisë së CDU-së (Christian Democrats) në dhjetor. Por rezulati i 28 tetorit solli dinamika surprizuese për partinë.
Në shtetin federativ të Hesse, zgjedhjet treguan një goditje të fortë për CDU. Analistë dhe politologë e kanë përshkruar deklaratën e Merkel si një lëvizje dinjitoze për tu tërhequr vetë dhe duke mbajtur përgjegjësi për humbjen në zgjedhje. “Si kancelare dhe drejtuese e CDU, pesha e përgjegjësisë bie plotësisht mbi mua për humbjen në zgjedhje” u shpreh Merkel për gazetarët në deklaratën e bërë në Berlin.
Kancelarja Merkel arriti të shndërrohej nga një fizikane e Gjermanisë lindore komuniste në një nga liderët me mandatin më të gjatë në Evropë. Padyshim një nga drejtueset më të fuqishëm në politikën globale, pas deklaratës së saj duket se BE është futur në gjendje ankthi për sa i përket drejtimit në arenën ndërkombëtare që do të marri Gjermania me kancelarin e ri.
Ajo dhe Gjermania kanë qenë ndër vite simbol i stabilitetit, por tanimë edhe Gjermania shihet si politikisht e lëkundur. Dorëheqja e saj nga partia ka krijuar panik në zemrën e BE. Pavarësisht se figura e Merkel është zbehur në shtetin federativ të Hesse, mbetet i pakontestueshëm vullneti dhe përkushtimi i saj ndaj vlerave europiane të Bashkimit Europian. Ajo shërbente si një mburojë ndaj lëvizjeve populiste në Evropë, që tanimë përbëjnë lidershipin qeveritar në Poloni, Hungari dhe Itali.
Padyshim që largimi i Merkel do të ketë një impakt të thellë në periudhën e euro-krizës ku debati i ditës është kush e mbështet Europën e bashkuar dhe kush është kundër saj. /k.m/
Burimi: The New York Times