Dhuna ndaj grave dhe vajzave ndodh çdo ditë, qoftë në shtëpi, në punë, në shkollë, në rrugë ose në internet. Rreth 1 në 3 gra në të gjithë botën kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale në një moment të jetës së tyre.
Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara filluan në shtator 2017 Iniciativën e Spotlight, një partneritet për të eleminuar të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
BE ka ofruar fonde fillestare prej 500 milion€ duke ftuar donatorë dhe partnerë të tjerë të bashkohen me Nismën për të zgjeruar shtrirjen dhe qëllimin e saj.
Ditën e premte, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara ftuan të gjitha vendet, udhëheqësit, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ambasadorët vendorë për t’u bashkuar me lëvizjen në fjalë dhe të ndërmarrin veprime për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Përpara ngjarjes, Përfaqësuesja e Lartë e BE Federica Mogherini tha: “Dhuna ndaj grave është dhunë ndaj tërë shoqërisë – kështu që e gjithë shoqëria duhet të reagojë për t’i dhënë fund asaj. Bashkimi Evropian tashmë është investitori i parë në barazinë gjinore përreth botës, dhe së bashku me partnerët tanë, ne do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat e njeriut të grave.”.
Dy vjet pas fillimit të saj, aktivitetet e Iniciativës Spotlight janë duke u shtrirë në tërë globin – falë angazhimit të BE-së dhe OKB, dhe mbështetjes së qeverive partnere dhe shoqërisë civile në të gjitha nivelet. 13 vende kanë filluar tashmë zbatimin e programeve të Spotlight, dhe rreth 2/3 e fondit fillestar të dhënë nga Bashkim Evropian prej 500 milion€ janë ndarë tashmë midis shteteve pjesëmarrëse në rajone të ndryshme të botës.
Pjesëmarrja e publikut, aksioni politik ambicioz i cili bazohet në politika të bazuara në prova, si dhe në rritjen e burimeve dhe gjenerimit të njohurive janë të gjitha thelbësore për nismën dhe angazhimin e përbashkët për ndalimin e dhunës në të gjithë format e saj.
Burimi: Komisioni Evropian
Burimi i fotos: Flickr