Arifaj: Shkrim veç për njerëz (demek, veç për burra)
Të nderuem bashkë-gjinorë,
Po shkruej n’(tentim)gegnishte se asht e njoftun për tingull ma burrnor, ose s’paku na, t’ksaj ane, kem’ qef me e ba veten me u nje ma mirë tue besue qi a qashtu.
Po shkruej për hallin ma t’madh qi na ka rrokë të tanve n’fillet e këtij shekulli. N’këto ditë kur duhanin po na e ndalin nëpër kafe e po na detyrojnë me u lidhë n’kerr kur grahim, kishe për hatër t’sigurisë, tradita e sundimi jonë burrnor mijëra vjeçar asht kah l’kundet e na ka ardhë nji e zezë e madhe — rob’t nuk po na ngojnë ma. Çka asht ma e keqja, n’shumë raste, as nuk po na tuten.
Kjo e zezë o kanë qaq e paparamenueshme e na ka nxanë pa përgatitë, sa që tash asht shumë vonë e pshtim nuk ka. Krejt çka na ka mbetë asht me e pranue, ani pse burri kurrë s’dorëzohet (edhe nëse po, bile s’bon me ia pranue vetit). Sherri i kësaj barazie po hetohet n’tana antë e shoqnisë.
Popullsia e botës asht dyfishue n’pesëdhjetë vjet’ e fundit, mirëpo numri i njerëzve n’botë i bjen që asht katërfishu nëse gratë i shohim t’barabarta me burra. Kjo i bjen që barra për me punue me e mbajtë popullatën gjallë që deri tash o kanë hise e burrit përgjysmohet nëse edhe gratë përzihen. Kjo mundet edhe me tingllue mirë ndoshta, po a ia vlenë me e hupë burrninë e autoritetin veç për me e pasë nji jetë ma t’lehtë?
N’vend se me konë t’rrethuem me gra që nuk bojnë za po veç marrin urdhna, ku ishim kënaqë tu bo llaf me burra tjerë se kon p’e ngon grueja ma shumë, tash na duhet me i duru gratë e shkollueme që e sfidojnë intelektualisht edhe ma t’moçmit e odës. Dro me u marrë vesh që n’fakt veç me konë mashkull e me i pasë do vjet nuk do me thonë me konë ma i meçmi aty. Qysh me i bindë gratë që arsyeja që ato nuk kanë hise n’pasuni, që nuk vetën për çfarëdo vendime, që mun’ shkëmbehen si mall, që krejt nderi i shpisë osht te ni cipë e hollë n’mes t’komëve t’saj… osht që qashtu e dojnë traditat e zakonet? Ma zi, kjo m’shtin edhe mu me menue që as une nuk kom pse me iu nënshtru autoritetit baballar. A i bjen kjo që une guxoj me e bo frizuren qysh kom qef ma e vetë babën?
Barazia luen shumë rol edhe n’karakterin e burrit. N’kohët e arta, grueja e ka ditë venin e vet. I ka gatue burrit bukë, ia ka la teshat, bile-bile edhe o ardhë e ia ka la kamtë me legen. Burri, tue kanë meritor për posedim të pecit qysh në lindje, nuk ka pasë nevojë me u provue n’këto gjana. Taksirat sot, duhet me u kujdesë për higjienë personale e me u msue me gatue për qef tonin. Kujt me i hi dajak tash nëse metë pa brekë t’lame a s’t’del mirë dreka? Papritmas, mos me konë i aftë me u kujdesë për veti nuk na koka mo burrni po papërgjegjësi. A nuk osht boll që di me e la bothën pa ndihmen e kurkuj a?
Martesa tash e tutje asht shumë ma e komplikueme. Tradita fort mirë e ka dashtë që për ket’ punë kanë vendosë burrat. Çika o jepë e o bo grue. Detyra e saj kryesore o konë me lindë deri sa te bon naj thmi, pa i ngjehë çikat. Burri e grueja s’kanë pasë pse me u dashtë, po jonë duru tonë jeten. Tash, duhet me gjetë vet dikon që t’pelqen e, çka o ma e keqja, edhe me kalu mirë bile me to. Bile-bile, s’kemi mo pse me i bo ka 5-6 çika tu e pritë me lindë djalë.
Tue kanë burrë i traditave the vlerave të lashta, i cili me shumë sukses ka mbërri jo veç me i ndrydhë krejt aftësitë e t’kuptuemit t’ndjenjave t’individëve tjerë, po edhe me e luftu çdo ndjenjë që nuk është në përputhje me qehren e sertë, nuk muj me e përthekue idenë e barazisë pa e reduktue n’marrëdhanie pronësore. Me fjalë tjera, e vetmja mënyrë me ma rrokë me e pa situaten e barazisë asht nëse e menoj për çiken teme.
Shyqyr çikë s’kom.
A me bo me pasë? Qysh kisha mujtë me përballu me e rritë çiken n’nji shoqni ku burri e grueja jonë t’barabartë? N’ven se me u mësu prej vegjëlisë me i ba puntë e shpisë, çika duhet me e lodhë krytë tuj msue për shkollë. Si çikë e shkollueme e e dijshme, gjasat që ajo me pasë punë e me u pamvarësu ekonomikisht jonë shumë t’mdhaja. N’vend se me konë kallëp për prodhim t’fmive, ajo kish qenë njeri që kish vendosë për t’ardhmen e saj ma t’mirë. Si dikush që e shijon barazinë, nuk kish mujtë n’asnji mënyrë me iu kthy prap nënshtrimit, po kish qenë nji za i fortë për barazinë e secilit njeri t’shtypun.
Ndoshta për to i kish ra ma mirë, po kjo i bjen që s’kisha mujtë me e detyru me u kthy n’shpi kur t’i thom une. N’fakt ajo kish mujtë me zgjedhë me jetu vet. E n’fund, m’bjen mu me u nalë me menu, që mos osht e nevojshme edhe une me bo diçka ma shumë? Që ndoshta, e çoj jeten posht veç tu pritë me konë une burri ma i vjetër që me m’ngu gjinja? A mos bo vakia që me konë burrë nuk osht ndoj arritje e madhe po kisha mujtë me bo edhe diçka tjetër n’jetë?
Nuk osht gjithçka zi. Edhe nëse gratë mbrrijnë me u bo plotësisht t’barabarta me burra, bile thmitë hala nuk po çojnë fort kry për t’drejtat e tyne (edhe pse qiky interneti poget po don me i prishë edhe kta)./A.A.