Një studim i fundit nga Fondacioni Ndërkombëtar i Medias për Gratë zbuloi se dy nga tre gra gazetare të anketuara anembanë botës thanë se ishin kërcënuar ose ngacmuar në internet të paktën një herë për shkak të punës së tyre.
58 përqind thanë se ishin kërcënuar ose ngacmuar personalisht, ndërsa 26 përqind thanë se ishin sulmuar fizikisht.
Sipas ekspertëve, dhuna dhe ngacmimi në internet përkeqësojnë ndjeshëm lirinë e medias, duke përkeqësuar kushtet e punës për gazetarët.
“Ngacmimet çojnë në vetë-censurim të gazetarëve dhe minojnë lirinë e shtypit. Për shkak të saj, gazetarët mund të mendojnë dy herë para se të mbulojnë tema të caktuara”, deklaroi për Euronews Elodie Vialle, eksperte e ngacmimit në internet në Universitetin e Miçiganit.
Pothuajse një e treta e gazetareve konsiderojnë largimin nga profesioni për shkak të sulmeve dhe kërcënimeve në internet, konstatoi sondazhi.
Por për të përmirësuar kushtet me të cilat gazetaret dhe reporteret përballen përditë në punën e tyre, është krijuar një aplikacion për celular, i cili raporton në kohë reale incidentet, shkallën e tyre dhe njofton autoritetet për autorin e kërcënimit apo ngacmimit.
Aplikacioni quhet Jsafe. Ai lejon përdoruesit të raportojnë incidente, si në internet ashtu edhe në terren, përmes plotësimit të shpejtë të një formulari. Gazetaret mund të ngarkojnë vegëzat e llogarive në rrjetet sociale të sulmuesve ose kontaktet e tyre, duke patur mundësinë për të shtuar dhe dëshmi fotografike ose video.
Ata gjithashtu mund të paralajmërojnë aplikacionin për nivele të ndryshme të kërcënimeve – nga “abuzimi i vogël” deri në kërcënimet “seksuale” ose “fizike”.
Aplikacioni synon t’i përgjigjet kërkesave urgjente brenda 24 orëve, por për kërcënime të menjëhershme fizike, JSafe rekomandon të kontaktoni policinë.
Me kërkesë të përdorueses, JSafe gjithashtu do të sigurojë mbështetje ligjore dhe psikologjike për përdorueset përmes asistencës së ofruar nga Koalicioni për Gratë në Gazetari.
Ky aplikacion vjen si një përpjekje e shtuar për mbrotjen e gazetarëve gjatë ushtrimit të punës së tyre dhe kryesisht gazetaret gra, që janë objekt dhe i ngacmimeve seksuale apo fizike në vendin e punës.
Aplikacioni, po përpiqet të mësojë nga eksperienca e një projekti të ngjashëm të iniciuar në vitin 2015, por që nuk mundi të avancojë për shkak të sulmeve kibernetike dhe dobësive në programim.
Burimi: Euronews
Burimi i fotos: Poynter