Amina, kthimi i feministes “toples” në Tunizi
Më 8 mars 2013, nga shtëpia e gjyshërve të saj në kryeqytetin e Tunizisë, një aktiviste 18-vjeçare e quajtur Amina Sboui, ngarkoi një foto në “Facebook”, mori frymë thellë dhe klikoi “publiko”.
Fotoja shfaqte Aminën të ulur në një kolltuk lëkure, duke lexuar një libër dhe duke tymosur një cigare. Ajo i kishte lyer buzët me të kuqe dhe sytë me të zezë. Ishte e zhveshur nga mesi e lart dhe në bust kishte shkruar një mesazh në gjuhën arabe: trupi im më përket mua, nuk është burim i nderit të askujt.
Rreth një mijë komente u bënë në foton e saj të profilit, gjë që filloi ta fuste vajzën në panik se mos e ëma do ta merrte vesh. Ajo e mbylli laptopin dhe doli nga shtëpia.
Gjashtë ditë më vonë, nëna e Aminës e gjeti atë duke u fshehur në shtëpinë e një shoqeje në qendër të kryeqytetit. Ajo e futi vajzën në makinë dhe e çoi tek e motra në jug të vendit, ku Amina kaloi tri javë e mbyllur në shtëpi.
Në pamundësi për të gjetur një shpjegim për sjelljen e vajzës, ajo arriti në përfundimin se vajza ishte kapluar nga një shpirt djallëzor. Kairouani është një nga qendrat më të vjetra të Islamit në Afrikën Veriore dhe nuk qe e vështirë të gjendej një njeri që të shprehte se kishte ekspertizë në largimin e demonëve. Ky person i bëri vajzës disa seanca për këtë qëllim.
Në fillim të prillit, duke shpresuar se Amina ishte kuruar nga çmenduria dhe se rreziku për jetën ishte larguar, familja e lejoi atë të kthehej në Tuniz. Por nëse menduan se e keqja kaloi, shumë shpejt e kuptuan se ishin gabuar.
Një muaj më vonë, Amina u kthye në Kairouan, jo për të vizituar tezen e saj, por për të protestuar në një takim të planifikuar të Ansar al-Sharia, një grupimi islamik radikal i shfaqur në revolucionin tunizian në vitin 2011. Në murin e një varreze jo larg prej xhamisë së madhe të Kairouanit, Amina shkroi me nxitim fjalën “Femen” – emrin e lëvizjes feministe europiane, tani me seli në Paris, protestat “toples” të të cilës e frymëzuan atë të veprojë. Menjëherë, ajo u arrestua dhe u akuzua – së pari për posedimin e një spraji piperi dhe më vonë për turp dhe përdhosje të një varreze.
Gjyqi i Aminës ekspozoi përçarjet e shoqërisë tuniziane që ekzistojnë prej dekadash. Vendi është ndër më të përparuarit në botën arabe dhe pati shumë aktivistë të të drejtave të njeriut, feministë dhe laikë që donin të mbronin të drejtën e vajzës për të protestuar, pavarësisht se nuk ishin dakord me metodat e saj.
Zëra të tjerë liberalë, përfshirë ata nga feministët e mirënjohur, e dënuan aktin e Aminës, duke argumentuar se veprimet e saj i kishin kthyer pas të drejtat e grave, duke çuar në një luftë të pafitueshme mes besimit dhe kulturës.
Më të zëshëm se të gjithë qenë islamistët që kërkonin jashtë gjykatës në Kairouan, ndëshkimin me kamxhik ose gjuajtje me gurë deri në vdekje të Aminës.
Tre pjesëtare të “Femen” udhëtuan në Tunizi për të protestuar jashtë Ministrisë së Drejtësisë të zhveshura. Ato u arrestuan dhe u liruan një muaj më vonë. Dy muaj pasi Amina u prangos, ajo u lirua gjithashtu. Ende përballë kërcënimeve me vdekje dhe e vendosur të përfundonte arsimimin e saj, Amina u nis në Francë. Shumë në Tunizi qenë të lumtur teksa e panë të largohej.
Pas dy viteve në Paris, Amina është kthyer dhe do të lançojë një revistë të re feministe. Në Francë ajo përfundoi shkollën e mesme, e mbuloi trupin me tatuazhe dhe ishte bashkautore e një autobiografie që u publikua në Paris me titullin “Trupi im më përket mua”.
Amina thekson se ajo po përpiqej të shkonte përtej mentalitetit se trupi i një femre, duhet parë si nder i familjes ose burim turpi për të.
Revista do të quhet “Farida” që do të thotë “unike” në arabisht, dhe do të ketë si audiencë vajzat nga 15 deri në 25 vjeçe. Farida e merr frymëzimin nga një publikim i hershëm i quajtur “ ”, që u publikua fillimisht në Tuniz në vitin 1958 nga një gazetare pioniere e quajtur Dorra Bouzid. Tani Bouzid është mbi 80 vjeçe, ende aktive dhe planifikonte të bashkëpunonte me Aminën, derisa ndodhi një mosmarrëveshje.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve, Amina e njeh borxhin ndaj feministes më të madhe dhe sheh një paralele mes nevojave të grave tuniziane sot dhe sfidave të një brezi paraardhës.
Kur Bouzid publikoi Faizën, Tunizia ishte një vend i pavarur, i ri dhe Presidenti i parë, Habib Bourguiba, sapo kishte kaluar një seri ligjesh që i dhanë të drejta të paprecedenta grave tuniziane. Poligamia u bë e jashtëligjshme, divorci u legalizua dhe martesa nuk mund të bëhej më pa miratimin e grave.
Amina shpreson se revista e saj që do të publikohet në vitin 2016, do të jetë pjesë e progresit dhe mbrojtjes së vlerave laike për të rejat që janë rritur në klimë fetare dhe konservative në Tunizinë e shekullit 21.
“Shoh njerëz që kanë frikë nga gratë”, thotë ajo. “Ata janë gati të bëjnë gjithçka që ne të mos e hapim gojën, sepse e ndiejnë rrezikun e grave”./A.A.