Agonia e heshtur e grave të përdhunuara gjatë luftës në Kosovë
Grave të cilat kanë vuajtur në heshtje për vite me radhë në Kosovë, pasi janë torturuar dhe përdhunuar gjatë luftës, iu është ofruar një skemë kompensimi – por stigma e përdhunimit nënkupton se shumë prej tyre nuk aplikojnë për këtë lloj asistence për shkak të turpit që ndiejnë.
Fata lëviz gishtat me shpejtësi me shenja nervozizmi. Ajo dëgjon zhurma hapash në korridor kështu që ndalon së foluri dhe pret derisa të bëhet qetësi sërish.
Tetëmbëdhjetë vite kanë kaluar nga dita e bombardimeve nga NATO në Maj të 1999 kur ajo u morr më forcë nga një repart për refugjatët, u përdhunua dhe torturua nga forcat serbe në një shtëpi private në veri të Kosovës, në qytetin e Mitrovicës. Ajo humbi syrin e saj të djathtë dhe ishte vetëm 16 vjeçe.
“E mbaj mend që na mbajtën të mbyllura për tre ditë radhazi. Ishim 15 vajza në të njëjtën dhomë. Gjendja ime ishte aq e përkeqësuar saqë syrin e djathtë e mbaja të fashuar dhe nuk mund të lëvizja dot”.
Që prej asaj dite Fata (pseudonimi që përdor e intervistuara gjatë intervistës) është ndjerë e frikësuar , e përfolur për keq dhe e stigmatizuar nga shoqëria.
“Tezja më këshilloi që mos t’i tregoja askujt për këtë ndodhi të keqe, më mirë të vrisja veten sesa të rrëfehesha,” shprehet ajo.
Mijëra vajza e gra kanë qenë viktima të dhunës seksuale të shkaktuar nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë të periudhës 1998-99, të cilën NATO e mbylli duke e kapitulluar sundimin e Serbisë mbi Kosovën. Fata shprehet se vendi ku e mbajtën të mbyllur ishte kthyer në qendër për përdhunime dhe vrasje nga forcat serbe.
“Më kujtohet se ditën e parë na përdhunonin në mënyrë sistematike. Akti barbar bëhej me turne dhe gjaku pastrohej vazhdimisht”.
Pavarësisht kësaj eksperience të rëndë, ajo i frikësohet aplikimit në këtë skemë kompensimi social pasi ideja se do të fitonte statusin e një viktime të dhunës seksuale nga periudha e luftës e step. Qeveria kosovare planifikon të prezantojë këtë skemë aplikimi për këtë vit.
“Familja ime nuk dëshiron që emri im të listohet diku. Ata tani janë bërë një familje e madhe. Fëmijët e tyre janë martuar dhe familja vijon të rritet. Ata nuk duan që dikush të flasë për këtë,” shpjegon ajo. Tre vite më parë Fata mori ndihmë nga një organizatë jo-qeveritare e cila i siguroi një “sy” me protezë për të mbuluar të çarën në sy.
Pas vitesh të tëra heshtjeje dhe stigmatizimi, parlamenti kosovar miratoi ligjin e vitit 2014 që e njeh statusin e viktimës së luftës për gratë e përdhunuara, duke iu dhënë një asistencë prej 220 eurosh në muaj.
Në fund të prillit, qeveria ngriti komitetin e verifikimit dhe njohjes së statusit të viktimës së dhunës, në mënyrë që të implementojë procedurat ligjore për këtë skemë kompensimi social.
Disa nga përfitimet kryesore që viktimat e luftës përfitojnë janë pensione familjare, shërbime shëndetësore falas, heqje e barrës së taksave, duke përfshirë këtu dhe taksën e pronës si edhe energji elektrike më e lirë.
Ligji i ri i 2014 lejon këto viktima të përdhunimit për të aplikuar në format me shkrim për të treguar se çfarë kanë kaluar. Këto të fundit nuk janë të imponuara por mund të paraqesin edhe dëshmi nga policia ose raport mjekësor nga përdhunimi.
Qeveria përzgjodhi tre organizata jo-qeveritare që merren me këtë kauzë për të mbledhur aplikime nga të mbijetuarat, në mënyrë që të ruhet konfidencialiteti si edhe të evitohet takimi ballë-përballë i personave të komitetit me viktimat.
Arban Abrashi, Ministër i punëve dhe mirëqenies sociale në Kosovë shprehet se ministria do të ofrojë një asistencë modeste, duke mos siguruar drejtësinë që mungon për këtë çështje. Duke iu frikësuar stigmatizimit dhe përjashtimit social, me mijëra gra viktima të dhunës seksuale gjatë luftës vuajnë në heshtje probleme shëndetësore madhore.
Familja e Fatës e panë përdhunimin e vajzës së tyre si një stigmë të vërtetë. “Nuk mund të vijoja edukimin tim. Ishte e vështirë të merrja trajtim mjekësor. Familja ime vuante pasi shumë njerëz e dinin që unë isha një viktimë e dhunës seksuale”.
Barra psikologjike ka qenë shumë e madhe për Fatën. Ajo vuan nga depresioni dhe dhimbje koke e migrene të vazhdueshme. Perceptimet negative nga ana e shoqërisë si edhe vështirësitë në marrjen e shërbimit shëndetësor ka rezultuar në një numër të lartë vetëvrasjesh nga ana e këtyre viktimave të përdhunimit.
“ Një numër i madh i këtyre viktimave kanë vdekur si pasojë e dhunës familjare për çështje nderi,” shprehet Siobhan Hobbs, I cili ka drejtuar në 2016 një grup të UN për publikimin e raportit në një situatë të vështirë të kësaj dhune seksuale. Kjo vjen për shkak se midis shumë familjesh si kjo e Fatës, përdhunimi shihet si një njollë në nderin e familjes.
“Vendosa të martohesha, jo se dëshiroja por që të mos mbetesha një barrë në shtëpinë time. Por gjërat u përkeqësuan akoma më shumë. Familja e bashkëshortit zbuloi që unë isha përdhunuar dhe kisha humbur njërin sy. Ata na nxorën jashtë shtëpie,” kujton Fata.
Që prej asaj kohe, ajo jeton me bashkëshortin dhe fëmijët e saj në një strehë ose shtëpi të braktisura, në një varfëri të tejskajshme. Disa viktima të përdhunimit jo vetëm izolohen nga të afërmit e tyre, por shpeshherë edhe braktisen prej bashkëshortëve. Të margjinalizuara dhe të përjashtuara, ato mbajnë peshën e turpit për atë që iu ndodhi atyre.
Një tjetër grua viktimë e asaj dhune u shpreh për BIRN se ajo dhe motra e saj u përdhunuan në një shtëpi në Decan, në perëndim të Kosovës gjatë luftës.”Kur bashkëshorti i saj e mori vesh, e braktisi motrën time dhe u martua me dikë tjetër,” shprehet ajo. Frika nga dhuna ose izolimi social i ka bërë ngurruese këto gra për të kërkuar mbështetje në shëndetësi, punësim. Kjo është dhe një nga arsyet pse shumë raste si Fata hezitojnë të aplikojnë për statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Shumë shprehen se nuk dinë si ta justifikojnë tek familja pagesën që ato do të marrin. “Vetëm një numër I caktuar do të aplikojnë,” shprehet Feride Rushiti, drejtoreshë e qendrës në Prishtinë për rehabilitimin e viktimave të luftës. Rushiti gjithashtu shprehet se ligji mbetet diskriminues.
Ligji aktual ofron për të mbijetuarat statusin vetëm për ato në periudhën e luftës ndërmjet datës 27 Shkurt 1998, kur konflikti I armatosur nisi, dhe 20 Qershor 1999, kur Serbia I tërhoqi forcat ushtarake nga Kosova. Por disa shoqata që ofrojnë asistencë për viktimat serbe të dhunës seksuale shprehen se ky përcaktim kohor nënkupton se viktimat serbe të përdhunimit, të cilat gjithashtu kanë përjetuar dhunë seksuale, pas tërheqjes së forcave ushtarake serbe, nuk janë të lejuara të aplikojnë.
“Përdhunimi nuk është kryer vetëm nga Serbët dhe jo vetëm gjatë periudhës së luftës,” shprehet Rushiti. Blagica Radovanovic, drejtoreshë e organizatës jo-qeveritare Santa Marija që ka në fokus viktimat e luftës në qytetin verior Kosovar, Zvecan, shprehet se komuniteti serb i Kosovës nuk është përfshirë në hartimin e draftit për projektligjin, kështu që mbeten të pa familjarizuar me të.
“ Rekomandimi im është që të bëhet një kërkim i thelluar për numrin e viktimave të dhunës seksuale, që do të integrojë të gjitha komunitetet e prekura. Nuk ka asnjë informacion mbi dhunën seksuale në formën e hakmarrjes gjatë periudhës kur forcat serbe u larguan nga vendi,” shprehet Radovanovic.
Atifete Jahjaga, e cila ishte presidente e Kosovës përgjatë viteve 2011-2016, ishte e para politikane në Kosovë që avokatoi për të ndërhyrë në legjislacion në mënyrë që të ndihmohen të mbijetuarat dhe të luftohet kundër stigmës me të cilën ato përballen.
“Përgjatë mandatit tim jam përpjekur që të luftoj për njohjen e këtyre grave. Rreth 20’000 viktima gra nuk e gëzojnë as sot lirinë e trupit dhe shpirti të tyre,” shprehet Jahjaga për BIRN. Ajo themeloi Këshillin Kombëtar për të mbijetuarat e dhunës, dhe një prej iniciativave ishte dhe aksesi në drejtësi.
Numri prej 20’000 të mbijetuarave nga dhuna seksuale që Jahjaga citoi vjen nga burime të ndryshme. Sektori i shëndetësisë për organizatën WHO raportoi në një publikim të 2000 se “ Organizata lokale vlerësojnë se përafërsisht 10.000 deri në 20.000 gra janë përdhunuar midis Shkurtit të 1998 dhe Korrikut të 1999“.
Cfarë mbetet e sigurt është që gratë janë përdhunuar në shtëpi, në qendra ushtarake dhe rajone policore. Ato edhe janë dhunuar fizikisht, me gjymtime gjenitale si edhe janë therur me thikë e djegur me cigare deri në aktin ekstrem të vrasjes. /k.m/
Burimi: Balkan Insight