A t’i vëmë faj vaginës?!
Intervistoi: Suadela Balliu
Fotografia e saj ka zë. Zë vajze, zë gruaje. Jo domosdoshmërisht ai i ëmbli, i buti që qetëson kryet e lodhur e mendime shumë të burrave. Pikërisht për ta zbuar njëherë e mirë këtë mendësi që e mban gjysmën e shoqërisë shqiptare nën vargonjtë e paragjykimeve dhe shtypjes dhe vetë-nënçmimit si qenie më e ulët se gjinia tjetër , fotografja e re ka vendosur të luftojë. Zëri i saj është i fuqishëm përmes subjekteve që mbërthen fokusi i artit… Ajo çka për botën është provokim, për Brigelën është ana tjetër e së vërtetës që nuk duan të na e shfaqin.
Përpara se t’ia shihja katalogun e fotografive përmes albumeve virtuale në një prej rrjeteve sociale, më kish tërhequr jo rrallë vëmendjen vajza e re shkodrane ( mikeshë virtuale të cilën nuk e kisha e ende nuk e kam takuar personalisht) me mesazhet e forta në mbrojtje të vajzave dhe grave që në një vend si ky i yni trajtohen si objekte( mbi të cilat edhe mund të shfryhet inati apo frustrimi fizikisht. Thjesht sepse burri ka grusht më të fortë ) apo në rastin më të mirë si qenie të brishta që duhen ruajtur e mbajtur në ‘kulla të fildishta’ për të mos u njollosur nga papastërtitë e këtyre kohëve ( lexo: nga uria seksuale e po të njëjtit lloj). U desh një fotografi e shkrepur prej saj, provokuese mjaftueshëm për të tërhequr vëmendjen, u cilësua nga ata që e panë dhe e komentuan më pas. Dy vajza që këmbejnë një puthje në buzë, në një prej rrugëve të Shkodrës- qyteti ku Brigela jeton dhe jo pak herë frymëzohet për artin e saj- e mbi kokat e tyre një afishe që uron besimtarët myslimanë “Gëzuar Bajramin!”. Kaq mjaftoi për të ndezur debatin e për t’i ndarë ata që përfshiheshin në të në “pro” dhe “kundër” dhe për ta vënë në qendër të vëmendjes edhe autoren e saj, fotografen Brigela Demaj.
Pyetjeve dhe akuzave tendencioze iu përgjigj të gjithave një e nga një. As nuk fshehu përkrahjen e saj ndaj komunitetit LGBT. “Mbështes çdo lloj komuniteti që përbëhet nga njerëz”- rrëfen ajo. Nuk ndalet të flasë gjatë për punën e saj, sepse mjaftojnë imazhet për këtë. Ajo që pohon është se në çdo fotografi duket se ka zbrazur diçka që klithte për të dalë prej saj. Shkodra, apo më saktë mjedisi i mbyllur i një qyteti shqiptar, thotë se e ka ndihmuar punën e saj (mbase njeriu në presion është i aftë të japë më të mirën), por kur vjen puna te mënyra sesi ky vend i trajton gratë edhe burrat, revoltohet dhe refuzon të pranojë ç’i kanë thënë qysh së vogli … se ajo gjëja që gratë kanë në mes të këmbëve është “molla e ndaluar”, diçka e mbrapshtë, që nxit dëshira të pakontrollueshme te burrat, diçka që thjesht …Ka faj. Si mund të ketë vagina faj? Si mund të ketë faj gruaja sepse ka vaginë?” – vijon Brigela. “Jetoj në një vend ku vajzat e gratë konsiderohen nëna te mira e nëna të këqija, motra që të nderojnë e motra që të turpërojnë bashkëshorte që dinë të gatuajnë e bashkëshorte që nuk dinë të gatuajnë, vajza të ndershme e vajza kurva, të lehta e të vështira, të bukura dhe të shëmtuara…dhe epitete pafund.
Duket sikur askujt nuk i shkon në mend rastësisht njëherë në jetë se këto vajza dhe gra, janë qenie njerëzore e se gjinia e tyre nuk përcakton rolin e tyre në familje, shoqëri a më gjerë. Unë nuk flas si një vajzë që e jetoj çdo ditë mendësinë patriarkale shqiptare, por si një njeri që kam zgjedhur të kem një zë me anë të jetës që kam zgjedhur si artiste, të flas në emër të të gjitha vajzave dhe grave që jetojnë të njëjtin realitet me mua, apo realitete të ndryshme nga i imi, por që mbeten shtypës ndaj qenies grua. Flas në emër të të gjitha grave të botës!” –thotë me plot zërin. Për këtë do të vazhdojë të flasë me zërin dhe fotografinë e saj. Me këtë të fundit, e diplomuara për Artet e Bukura, dega Pikturë, zbulon se do të çelë edhe një ekspozitë. Të parën, e cila nuk do të mbyllet pa shkaktuar debate siç edhe fotoja e dy vajzave që puthen, kur vizitorët e ekspozitës (dhe sidomos ata komentojnë gjithçka ndodh në këtë vend ) do të shohin subjektin e artit të saj; një transgjinor…
Para pak kohësh u hap një debat në media për një fotografi të shkrepur prej teje me dy vajza që putheshin përballë një banderole ku shkruhej “Gëzuar Bajramin”. A mundesh të na e rrëfesh për lexuesit e Madame si qëndron historia pas asaj fotografie? A ishte një shkrepje spontane apo ishte foto konceptuale? Ti e mbrojte punën tënde dhe kjo u kuptua edhe sikur ti ishe një prej përkrahësve të komunitetit LGBT. Cili është qëndrimi yt ndaj debatit? Për ta sqaruar njëherë e mirë për të gjithë ata që kanë paragjykuar apo kritikuar edhe pa e ditur mirë qëndrimit tënd..
Fotoja ka qenë një foto spontane, por sigurisht kam qenë e vetëdijshme ç’po bëj dhe pse po e bëj. Më janë drejtuar pyetje tendencioze, të cilat kanë marrë përgjigjen që meritojnë besoj. Sigurisht që e mbështes komunitetin LGBT dhe të gjitha komunitetet e tjera të përbëra nga njerëz. Jam shprehur që me anë të fotos nuk kam dashur të tregoj mbështetjen e thjeshtë timen ndaj komunitetit në fjalë, por të trajtoj një kauzë më të gjerë e gjithëpërfshirëse, atë të të drejtave të njeriut dhe ndikimit të institucionit fetar mbi këto të drejta. Siç dihet, fetë monoteiste, duke përfshirë këtu dhe Islamin, janë ngritur mbi ideologji me ngjyrime të forta diskriminimi, racizmi, homofobie, mizogjinie dhe vendosja e dy vajzave që puthen përpara afishes “Gëzuar Bajramin” ishte një mënyrë për t’i thënë institucionit fetar se këta njerëz ekzistojnë (siç ata e dinë mirë, meqë përmenden edhe në librat e tyre “të shenjtë”), gëzojnë të drejta plotësisht të barabarta me pjesën tjetër dhe që askush nuk ka të drejtën t’i quajë ‘ndryshe’, t’i përçmojë, diskriminojë apo dhunojë në asnjë lloj forme. Këta njerëz do vazhdojnë të ekzistojnë, të dashurojnë e të jetojnë plotësisht dhe lirisht, me apo pa konsensusin e disa librave mijëravjeçarë që nuk u dihet autori, që mësojnë përçmimin, urrejtjen, deri edhe luftën. Së fundmi, unë, si ateiste në rrafsh personal, kam dashur t’u them teistëve se e gjej gjithashtu bezdisëse një afishe që më uron festa të lindura nga ideologji, të cilat mendoj se duhen zhdukur për të mirën e njerëzimit, ashtu siç ata e gjejnë bezdisëse panoramën e një çifti gay, sepse janë homofobë e mendjengushtë, por kjo nuk justifikon akte diskriminimi apo dhune nga ana ime. Në pak fjalë, kam dashur të them: “Ekzistoni ju, por ekzistojnë edhe realitete të tjera”. Meqë institucioni fetar ekziston, është i fuqishëm, pothuajse i pashkatërrueshëm, sepse di çdo të thotë demagogji e përfitim nga dobësitë njerëzore dhe nuk ka asgjë që mund të bëhet për ta ndryshuar këtë…Le të bashkëjetojmë! Nëse institucioni fetar ka një ide më të mirë se bashkëjetesa (përveç prerjes së kokave), le ta dëgjojmë!/A.A.
Për të lexuar intervistën e plotë, klikoni: madamemapo.al