8 Marsi i protestave

Deri më tani gjatë vitit 2019, janë vrarë 10 gra në Shqipëri.
Përtej faktit që viktimat nuk njihen më shumë sesa iniciale dhe përkthehen në fund të ditës në statistikë, apo material për kronikat televizive, nuk ka asnjë mobilizim përveç shpalljes së lajmit.
Për këtë arsye dhe shumë të tjera aktiviste feministe, organizata të shoqërisë civile dhe rrjete të mbrojtjes dhe fuqizimit të grave, organizuan ditën e sotme Protestën e Zisë, e cila jo vetëm përkujtoi viktimat gra të dhunës, por u përpoq t’i jepte zë dhe atyre që ndihen të pafuqishme dhe të pashpresa në shoqërinë tonë, që kryefjalë të saj ka dhunën.
Dita ndërkombëtare e grave i gjeti gratë dhe vajzat e vendit në protestë për të drejta bazike, por ende të munguara.
Janë me qindra gra që sot nuk kanë më besim te institucionet, paaftësia e së cilave ka krijuar një realitet ku dhuna durohet në vend që të denoncohet dhe në disa raste dhe legjitimohet.
Protesta nisi në orën 11:00 në sheshin përballë Drejtorisë së Policisë, ku aktivistë dhe qytetarë u mblodhën me pankarta në duar, duke bërë thirrje kundër heshtjes dhe apatisë shoqërore dhe institucionale.
Më pas protestuesit me thirrjen ‘Nuk duam lule, duam të drejta’ marshuan drejt Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila në këto muaj fatal për jetën e 10 grave e të përgjakshëm për shumë të tjera, nuk ka reaguar as në formën e një deklarate apo qëndrimi zyrtar.
Në protestë ju bë thirrje institucioneve të vendit që të përmbushin detyrimet e tyre ligjore, duke parandaluar krime të tilla dhe duke mbrojtur gratë që sot edhe pse të barabarta me burrat në numër e në ligje, ndjehen ende të margjinalizuara dhe u duhet të luftojnë për të drejtat dhe liritë e tyre dhe kryesisht për të drejtën e jetës.
Protesta u mbajtën njëkohësisht dhe në qytete të tjera të vendit. Durrësi, Vlora dhe Rrësheni u veshën gjithashtu me ngjyrat e zisë për jetët e humbura, në shenjë proteste për realitetin e zymtë për gratë dhe vajzat e Shqipërisë.
Protestat nuk munguan as në Prishtinë, ku për të dytin vit, nën moton ‘Marshojmë, s’protestojnë’, me qindra gra, vajza, aktiviste dhe qytetarë të Kosovës theksuan në ditën e 8 Marsit vështirësitë e realitetit të shoqërive tona dhe rreshtuan arsyet pse 8 Marsi duhet të jetë protestë dhe jo festë. / k.j