8 Marsi i aktivizmit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni
Posted On 09/03/2018
1
Në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, shumë aktivitete janë organizuar në Tiranë, Shkodër, Fier, Prishtinë, Ferizaj e Tetovë.
- Një grup feminis (FemGroup) e bëri Tiranën të zgjohej në mëngjesin e 8 marsit me disa mesazhe politike të forta që dënojnë patriarkalizmin, shtypjen, dhunën dhe nënshtrimin e gruas. Në rrugët kryesore të qytetit janë ngjitur postera të mëdhenj që manifestojne disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen vajzat dhe grate. “Ne rebelohemi dhe kërkojmë që zëri ynë të dëgjohet! Ftojmë të gjithë djemtë dhe burrat të punojmë së bashku për t’i zhdukur pabarazitë gjinore dhe padrejtësinë shoqërore!” kanë thënë ato përveç të tjerash.
- Rrjeti i organizatave në mbrojtje të të drejtave të grave AWEN, dhe dhjetëra aktivistë marshuan mëngjesin e të enjtes nën reshjet e shiut nga sheshi “Skënderbej” deri tek Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me thirrjet ‘barazi’ dhe ‘dinjitet’. Pjesëmarrësit në marshim mbanin pankarta si “Të drejta të barabarta,” “Stop dhunës me bazë gjinore” dhe “Barazia gjinore fillon nga brenda mureve të shtëpisë”. Ata kërkuan mbështetje për gratë e dhunuara, parandalim të martesave të fëmijëve, ndihmë ekonomike për gratë kryefamiljare, barazi në politikëbërje dhe vendimmarrje, si dhe akses falas në drejtësi dhe më shumë mundësi punësimi.
- Në mesditë, shumë vajza e përdorën 8-Marsin për t’u bërë pjesë e aktivitetit global #WikiGap të organizuar nga qeveria Suedeze që synon të ngushtojë hendekun gjinor në internet mes burrave dhe grave. Të rinj nga tre qytete, Tirana, Shkodra dhe Fieri redaktuan dhe krijuan në kuadër të këtij aktiviteti biografi të reja në internet të grave të shquara shqiptare në art, shkencë, biznes dhe aktivizëm. “86 për qind e biografive që ekzistojnë në gjuhën shqipe flasin për arritjet e meshkujve, por nëse ecim nëpër rrugë, a janë 86 për qind e njerëzve meshkuj?” pyeti ambasadori suedez në Tiranë, Johan Ndisi, ndërsa shtoi që është i rëndësishëm reflektimi i realitetit edhe në internet. Marinela Gremi, nga organizata ProLGBT thotë se: “Është e rëndësishme që djemtë dhe vajzat të mësohen ta përdorin internetin si një formë aktivizmi dhe për të nxitur feminizmin”.
- Nga ana tjetër e kryeqytetit, aktivistë të Organizatës Politike u mblodhën në Kombinat për të ngritur zërin për barazi dhe drejtësi shoqërore. Aktivistët shpërndanë fletushka, diskutuan me qytetarë folën për historinë tjetër të 8 marsit, për pozitën e gruas në shoqëri, për situatën e përgjithshme të popullatës, për dominimin gjinor dhe shfrytezimin ekonomik, si dhe për nevojën e domosdoshme të organizimit sindikal. Gjithashtu një natë përpara manifestimit, aktivistët e OP shkruan thirrje pranë fasonerive në zonën e Kombinatit, si dhe ngjitën në dyert e tyre detyrimet e pronarit ndaj punëtorëve, e veçanërisht të drejtat e grave në punë. Aktivistja Liri Kuçi theksoi gjendjen e mjerueshme të punës me të cilat përballen gratë, ndërsa u bëri thirrje atyre të bashkohen për të sjellë ndryshimin e dëshiruar. “Nëse sot ka gra astronaute, gra shkencëtare, ka avokate, ka doktoresha – kjo është sepse ato kanë punuar fort për të mbajtur pozicionin ku janë,” tha Kuçi.
- Në Shkodër, disa organizata në mbrojtje të të drejtave të gruas i drejtuan një letër të hapur kryetares së bashkisë, Voltana Ademi ku adresonin promovimin e barazisë gjinore nëpërmjet nxitjes së pjesëmarrjes së gruas në vendimarrjen lokale. Kërkesa lidhej me respektimin e ligjeve “Për barazinë gjinore në shoqëri” dhe “Për vetëqeverisjen vendore” në rastin e emërimit të administratorëve të njesive administrative të Bashkisë Shkodër ku rezulton se të gjithë drejtuesit e emëruar janë meshkuj. Sipas ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, përcaktohet se kryetari i bashkisë kompetencat dhe detyrat: “Emëron, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore, administratorët e njësive administrative/lagjeve dhe i shkarkon ata”. Sipas ligjit “Për barazinë gjinore në shoqëri”, përcaktohet se: “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor dhe në institucionet e tjera publike arrihet kur: “Sigurohet përfaqësim në masën mbi 30 për qind për secilën gjini, përfshirë edhe në organet e tyre drejtuese”.
- Ngjarja, e quajtur “Marshojme S’festojmë” dhe e organizuar nga një kolektiv individësh dhe organizatash, është kthyer tashmë në një traditë vjetore, duke nxjerrë kosovarët në rrugë për të protestuar ndaj shtypjes gjinore në shoqëri. Me qindra qytetarë kosovarë kanw dalë në rrugët e Prishtinës dhe Ferizaj duke protestuar. “Për shkak se nuk kemi arritur ende drejtësi sociale dhe gjinore, ne kundërshtojmë dhe luftojmë papunësinë dhe varfërinë si forma të dhunës strukturore që ushtrohet mbi qytetarët e Republikës së Kosovës” thotë statusi i tyre në facebook.
- Grupimi feminist Haveit, të inspiruara nga filmi ‘Three Billboards outside Ebbing, Missouri’ kanë vënë nëpër billboarde të ndryshme emra të grave të vrara nga partnerët e tyre duke pyetur se edhe sa thirrje të tjera do të injorohen nga shoqëria dhe policia. “Një shenjë në prag të derës për me u zgju me kujtimin e tyre e mos me mujt me flejt deri sa të zdrit drejtësia. Edhe sa thirrje të humbura?”
- Kosovo 2.0 ka publikuar videon e rradhës në të cilën shfaqen shumë gra që flasin për problematikat e tyre si dhe për mënyrën diskriminuese se si ishte pritur videoja e një viti më parë.
- Forumi i Gruas dhe Komuna e Tetovës kanë përgatitur një varg aktivitetesh me rastin e 8 marsit, Ditës ndërkombëtare të gruas. Aktivitetet kanë përfshirë një panel diskutimi në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), për të vazhduar me marshin e 8 marsit, “S’duam lule, duam barazi”, të organizuar nga Iniciativa për barazi gjinore dhe Forumi i gruas në Tetovë./A.A.