Feminizmi, një nga temat prioritare të platformave zgjedhore në Spanjë
Spanja po përgatitet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, të cilat priten të mbahen më 28 prill, rreth një muaj para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Në një situatë ku klima politike po polarizohet dhe më tej në të gjithë kontinentin, zgjedhjet në Spanjë nuk kanë një pretendent kryesor, duke sjellë një tjetër sfidë që një nga ekonomitë kryesore të BE-së duhet të kalojë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme evropiane.
Sipas sondazheve paraprake, partitë rajonale do të luajnë një rol vendimtar në formimin e qeverisë së ardhshme spanjolle, ndërsa gjatë ditës së djeshme u mbajt dhe debati i parë televiziv mes kandidatëve për kryeministër.
Përpos situatës së krijuar në Katalonja, feminizmi ishte një nga temat prioritare të cilat u diskutuan gjatë debatit të djeshëm, me partitë e majta e të qendrës që kërkojnë një zgjerim të të drejtave të grave dhe garantim të tyre, përballë retorikës së partive opozitare kryesisht të djathta që i cilësojnë veprimet dhe marshimet e fundit të grave në vend si ‘feminizëm radikal’.
8 Marsi i shkuar u shënua me marshime të mëdha në qytetet kryesore të vendit. Seksizmi në vendin e punës, pagat e pabarabarta dhe mungesa e përfaqësimit, janë tema që po diskutohen prej javësh e ndaj së cilave po mbahen protesta të vazhdueshme, e fundit ajo e grave që punojnë në fushën e hotelerisë.
Sipas të dhënave studimore dhe sondazheve, rreth 60% e elektoratit të pavendosur përbëhet nga gratë në Spanjë dhe partitë politike po përpiqen të bëjnë për vete sa më shumë individë që janë pjesë e këtij elektorati gri. Vota e grave dhe vajzave ka një peshë më të madhe këtë herë dhe për shkak të figurave të reja të futura në politikë, të cilat në shumicën e tyre janë gra dhe vajza.
Dhuna me bazë gjinore është një tjetër problem shumë i madh në vend. Në platformën e tyre politike, Partia Socialiste (PSOE) në pushtet u ka dedikuar një pjesë të rëndësishme grave përmes premtimeve për “Spanjën Feministe”, ku premtohet ashpërsim i kodit penal mbi rastet e dhunës në familje dhe trafikimit të grave.
Edhe pse kabineti qeveritar përbëhet prej 11 ministresh gra dhe vetëm 6 burra, sërish politika spanjolle nuk ka mjaftueshëm gra në pozicionet drejtuese. Parlamenti i ri pritet të jetë një parlament me një përfaqësim me të madh të grave, kjo jo vetëm prej figurave të reja politike, por edhe prej mobilizimit të grupimeve të të drejtave të grave dhe fuqizimit të tyre në të gjithë Spanjën. /k.j
Burimi: Euronews