27% e evropianëve thonë se përdhunimi është i pranueshëm në disa rrethana
LONDËR – Viktima e përdhunimit ishte e dehur? Ai ose ajo flirtoi paraprakisht ose kishte veshur rroba të “hapura”? Në disa vende evropiane, deri në 55 për qind e popullsisë thotë se rrethanat e tilla do ta bënin një marrëdhënie seksuale pa pëlqim, të justifikueshme ose të pranueshme, sipas një sondazhi të kryer në emër të Komisionit Evropian. Në përgjithësi, rreth një e katërta – 27 për qind – e gjithë evropianëve kishin këtë mendim.
Numri është shumë më i lartë në vendet e Evropës Lindore dhe Qëndrore si Rumania, Hungaria, Bullgaria dhe Republika Çeke. Në Rumani, më shumë se 50 përqind e të gjithë të anketuarve thanë se marrëdhënia seksuale jokonsensuale ishte e pranueshme në disa rrethana. Edhe pse kishte një ndarje të qartë midis Evropës Lindore dhe Perëndimore, thjesht gjeografia nuk i shpjegon dallimet e forta.
Në Belgjikë, për shembull, 40 për qind ishin dakord se marrëdhënia seksuale pa pëlqim është e justifikuar në disa raste, ndërsa në Holandën fqinje vetëm 15 për qind u shprehën kështu.
Në të gjithë Evropën, 27 për qind e burrave të rinj, thanë se disa situata justifikonin marrëdhëniet seksuale pa pëlqim, krahasuar me 20 për qind të grave të reja që u anketuan. Në përgjithësi, rreth 30,000 evropianë ju përgjigjën sondazhit.
Autorët e raportit bënë thirrje për më shumë vëmendje për mbrojtjen e grave që të mos bëhen viktima të sulmeve seksuale. “Ka ende Shtete Anëtare ku ka shumë punë për të bërë në trajtimin e perceptimeve rreth dhunës me bazë gjinore, veçanërisht ideja se dhuna ndaj grave është provokuar shpesh nga viktima apo se gratë shpesh shpikin ose ekzagjerojnë pretendimet e abuzimit apo përdhunimit” shkruan ata.
Malta, Qiproja, Letonia, Lituania dhe Estonia janë vënë re si veçanërisht shqetësuese në këtë drejtim.
Raporti i Bashkimit Evropian vjen mes shqetësimit në rritje në lidhje me sulmet e fundit seksuale në vendet evropiane nga ana e refugjatëve apo emigrantëve. Në Gjermani, sulme masive seksuale në festimet e Vitit të Ri të kaluar çuan në miratimin e një ligji të rreptë mbi sulmet seksuale që lehtësoi rregullat e deportimit të refugjatëve të dënuar për vepra seksuale.
Ndryshimet, të cilat u miratuan nga parlamenti në korrik, duket se synojnë në dy objektiva: të mbyllen difektet ligjore mes ankesave se kodet gjermane në sulmet seksuale janë shumë të buta dhe të adresohet rritja e reagimit të ashpër publik pasi vendi mori pjesën më të madhe të emigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme vitin e kaluar.
Si rezultat i kësaj, vende të tilla si Gjermania gjithashtu kanë prezantuar edhe kurse për refugjatët me qëllim që tu mësojnë të ardhurve respekt për gratë.
Sondazhi lëshuar nga Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian, duket se tregon se problemi i pranimit të sulmeve seksuale i Evropës nuk është i kufizuar për emigrantët. Njëzet e shtatë për qind e të gjithë gjermanëve autoktonë thanë se marrëdhëniet seksuale pa pëlqim mund të justifikohen në disa rrethana, një numër që përputhet me mesataren në të gjithë Bashkimin Evropian./A.A.