12 vejusha të ISIL u dënuan me vdekje ose me burgim të përjetshëm
Një grua turke u dënua me vdekje dhe 11 vejusha të tjera të huaja u dënuan me burg të përjetshëm, nga një gjykatë irakiane, për përfshirjen e tyre me Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantin (ISIL, gjithashtu i njohur si ISIS).
12 gratë – 11 turke dhe një azerbajxhanase, disa prej të cilëve u paraqitën në gjykatën e Bagdadit duke ushqyer foshnja – u dënuan të dielën, pavarësisht lutjeve që sipas tyre ishin mashtruar ose detyruar nga bashkëshortët e tyre që të bashkoheshin me ta në Irak.
Gratë, të moshës nga 20 deri në 50 vjeç, u arrestuan të gjitha në Mosul ose Tal Afar, ku burrat e tyre u vranë, pasi forcat irakiane rimorën qytetet veriore nga ISIL-i vitin e kaluar.
Vetëm gruaja e dënuar me vdekje, duke folur nëpërmjet një përkthyesi, e pranoi se kishte udhëtuar me dëshirë në Irak me burrin dhe fëmijët e tyre.
“Duhet të largoheshim nga Turqia, sepse burri im kërkohej nga ligji. Doja të jetoja në një shtet islamik ku sheriati (ligji islamik) është ligji i atij vendi”, tha ajo.
Por “pendohem që kam ardhur”, tha gruaja 48 vjeçare, burri dhe dy djemtë e së cilës u vranë nga sulmet ajrore.
Ajo plasi në lot, ndërsa një tjetër gruaje turke pothuajse i ra të fikët.
Mashtruar?
Avokatët mbrojtës të caktuar nga shteti, argumentuan se të gjitha gratë ishin mashtruar për të ardhur në Irak dhe se nuk ishin përfshirë në ndonjë akt dhune.
Por ato u shpallën fajtore sipas nenit 4 të ligjit anti-terrorist të Irakut kundër “çdo personi që kryen, nxit, planifikon, financon ose asiston në aktet e terrorizmit” si dhe për hyrje të paligjshme në vend.
“E njoha bashkëshortin tim përmes internetit dhe ai propozoi që të takoheshim në Turqi, por një ndërmjetës atje më tha se do të më çonte tek burri im i ardhshëm, pa më thënë se ku,” tha Angie Omrane, gruaja Azerbaxhanase.
“Mendova se po qëndronim në Turqi, por e gjeta veten në Siri dhe më pas burri më çoi në Irak”.
Leila, një nga gratë turke, tha: “Burri im më detyroi të vija në Irak duke kërcënuar se do të më merrte djalin tim dyvjeçar nëse nuk e ndiqja. Nuk kam marrë pjesë në asnjë veprim të dhunshëm. Kam qëndruar në shtëpi tërë kohën”.
Një burim gjyqësor tha se dënimi i grave nga një panel prej tre gjyqtarësh kishte javë apo edhe muaj që hetohej. Ato kanë një muaj për të depozituar apelin.
Një total prej 509 grash të huaja, duke përfshirë 300 turke, po mbahen në Irak, me 813 fëmijë, tha një burim sigurie për agjencinë e lajmeve AFP.
Adoleshentja gjermane e ISIL
Media gjermane, duke cituar burime gjyqësore, raportoi të dielën se një adoleshente gjermane e identifikuar si “Linda W” u dënua me gjashtë vjet burg për përfshirjen e saj në ISIL.
Shtatëmbëdhjetë vjeçarja udhëtoi nga Gjermania në Irak nëpërmjet Turqisë dhe Sirisë në mes të vitit 2016 dhe u martua me një luftëtar të ISIL-it nga Çeçenia.
Ajo shprehu keqardhje për bashkimin me ISIL, në një intervistë pas arrestimit të saj në Mosul verën e kaluar.
“Unë dua të shkoj në shtëpi tek familja time, dua të dal nga lufta, larg armëve, zhurmës. Nuk e di se si më erdhi një ide kaq idiote. Unë e kam shkatërruar plotësisht jetën time,” tha ajo./A.A.