1.2 milionë raste të ngacmimeve në rrugë dhe vetëm 4 të dënuar

Rreth 1,2 milionë gra franceze kanë raportuar te autoritetet e vendit raste të fyerjeve seksiste në vitin 2017, por vetëm katër raste rezultojnë të jenë ndjekur dhe të kenë sjellë dënime për këtë vepër penale.
Sipas një raporti të publikuar ditën e djeshme nga Këshilli i Lartë i Lartë i Francës për Barazinë midis Grave dhe Burrave (HCE), fyerjet seksiste përshkruhen si një “dhunë e përditshme” me të cilën gratë ballafaqohen, por rrallë herë e raportojnë te autoritetet.
Ky raport është quajtur hetimi i parë zyrtar për seksizmin në një vend evropian dhe pritet të ndiqet si shembull dhe nga shtete të tjera të BE-së. HCE raporton se ankesat zyrtare paraqesin mesatarisht vetëm 3% të rasteve të ndodhura në vitin 2017.
Seksizmi në Francë është “ende i pranishëm, i përhapur dhe shumë rrallë dënohet”, thuhet në raport. Gratë u gjetën të përfaqësonin shumicën dërrmuese të viktimave të fyerjeve seksiste, ndërsa shumica e shkelësve ishin burra.
Ligjvënësit vitin e kaluar miratuan legjislacionin që ndalon ngacmimet seksuale në rrugë, duke lejuar gjoba në vend për ngacmuesit deri në 750 euro. Masa erdhi pas publikimit të disa pamjeve ku dukej një grua franceze që goditet në fytyrë, pasi u përball me ngacmuesin e saj në rrugët e Parisit.
Ndër rekomandimet e tij, HCE i bëri thirrje qeverisë që të promovojë një ndërgjegjësim më të madh në lidhje me seksizmin, përmes fushatave dhe trajnimit; të ofrojë mbështetje më të madhe për viktimat si dhe të promovojnë ndjekjen penale të agresorëve. Gjithashtu ato rekomandojnë kryerjen e një sondazhi kombëtar për të kuptuar përmasat reale të fenomenit./k.j
Burimi: Euronews