UNICEF jep alarmin për ndotjen e ajrit; 600.000 fëmijë nën moshën 5 vjeç vdesin çdo vit
Një raport i ri i UNICEF ka vënë alarmin se rreth 300 milion fëmijë jetojnë në vende ku thithin ajër të ndotur. Pothuajse 1 në 7 fëmijë në botë jetojnë në zona me rrezikshmëri të lartë të mbetjeve toksike në ajër, rreth gjashtë herë më të lartë se norma e lejuar.
Ndotja e ajrit është një faktor madhor që ndikon në vdekjen e rreth 600.000 fëmijëve nën moshën 5 vjeçare çdo vit. Ndotja jo vetëm që dëmton mushkëritë e fëmijëve por kalon edhe në venat e gjakut në tru duke dëmtuar zhvillimin e trurit, thuhet në raport.
Azia jugore ka numrin më të madh të fëmijëve, rreth 620 milion, që jetojnë në zona me ajër të ndotur. Më pas janë shtetet afrikane me 520 milion fëmijë.
Studimi i UNICEF nuk bazohet vetëm në ndotjen e ambienteve të jashtme por edhe brenda shtëpive tona. Sipas ekzaminimeve, bilanci i ndotjeve në ambientet e brendshme shkaktohen zakonisht nga përdorimi i lëndëve djegëse si qymyri dhe druri për gatim apo ngrohje.
Ndotja e ajrit si jashtë ashtu edhe brenda shtëpisë, janë të lidhura direkt me pneumoninë dhe sëmundje të tjera resipratore që përbëjnë afërsisht 1 në 10 vdekje të fëmijëve nën 5 vjeç. Duke e kthyer kështu ndotjen e ajrit në një nga rreziqet kryesore për shëndetin e fëmijëve.
Gjetjet e studimit janë bërë publike një javë përpara Konferencës Botërore të Ndryshimeve Klimaterike ku i bëhet thirrje liderëve botërorë të marrin masa urgjente për të ulur ndotjen e ajrit në vendet e tyre. /m.g/
Burimi: UNICEF