UNICEF: Arsimi i fëmijëve romë është çelësi për prishjen e ciklit të përjashtimit dhe diskriminimit
Në ditën Ndërkombëtare të Romëve, UNICEF ka kërkuar të bëhet më shumë punë për respektimin e të drejtave të njeriut për fëmijët, gratë dhe gjithë familjet rome.
UNICEF shkruan se përjashtimi dhe diskriminimi i fëmijëve romë, fillon që në lindje kur ata nuk regjistrohen dhe vazhdon të përkeqësohet nga varfëria, mundësitë e kufizuara për pjesëmarrjen e komuniteteve rome në vendimet që ndikojnë në jetën e tyre dhe mungesa e politikave dhe programeve të qëndrueshme.
Djemtë dhe vajzat rome në Shqipëri, janë anëtarët më vulnerabël të shoqërisë, shkruan UNICEF. Duke kërkuar që fëmijët romë të vendosen në qendër të përpjekjeve të përfshirjes sociale dhe të garantojë regjistrimin e lindjeve, kujdesin shëndetësor, arsimin dhe mbrojtjen e tyre.
Gjithashtu, Fondi i Emergjencës së Kombeve të Bashkuara për Fëmiëjt në Shqipëri, kërkon në deklaratën për shtyp të investohet në mbledhjen e të dhënave dhe informacioneve në lidhje me fëmijët romë si dhe të ndërmerren progame sociale që të japin rezultate konkrete përmes pjesëmarrjes së komunitetit dhe monitorimit publik.
Sipas UNICEF, arsimimi i fëmijëve romë është çelësi për prishjen e ciklit të përjashtimit dhe sigurimin e mundësisë për t’u zhvilluar. Për këtë arsye, në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe me Agjencinë Austriake për Zhvillim, UNICEF ka mbështetur Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për të siguruar përfshirjen e hershme të fëmijëve romë në sistemin parashkollor. /m.g