“Unë dhe ti, ne jemi njësoj”- Dita Botërore e Sindromës Down në Tiranë
Nga Lorin Kadiu
Muzikë, animatorë për fëmijët, teatër kukullash, recitime dhe kërcime nga fëmijët e shkollave dhe të kopshteve shoqëruan aktivitetin e sotëm në parkun Rinia për Ditën Botërore të Sindromës Down.
Aktiviteti i organizuar nga fondacioni Down Syndrome Albania, nën sloganin “Unë dhe ti, ne jemi njësoj” synon informimin dhe ndërgjegjësimin e njerëzve, prindërve dhe opinionit publik mbi sindromën down.
21 Marsi është përvjetori i dhjetë i ditës kur, kudo në botë dëgjohet zëri i personave me sindromën down për të jetuar me dinjitet dhe për të qenë qytetarë aktivë në komunitetin ku jetojnë.
“Fondacioni Down Syndrome Albania ka një qendër arritjesh dhe zhvillimi, ku marrin shërbime 30 fëmijë nga zero deri në 10 vjeç. Shërbimet janë pa pagesë për të gjithë fëmijët.”- tha për Historia Ime Flavia Shehu, psikologe dhe koordinatore e Qendrës së Arritjeve dhe Zhvillimit.
Qytetarët mund të kontribuonin duke blerë produkte promocionale ose çorapet karakteristike të 21 marsit “lots of socks” në stendat e ngritura në parkun Rinia.
“Të ardhurat do të shkojnë për fëmijët, në formën e shërbimeve, si kartat e shëndetit me vizita falas në dy spitale private, mbështetje juridike, informacion dhe mbështetje për prindërit dhe terapi individuale falas për fëmijët me sindromën down”– tha Elisabeta Korça, vullnetare e DSA.
Në Shqipëri vitet e fundit është rritur ndërgjegjësimi për këtë sindromë që bën pjesë në grupin e aftësisë së kufizuar intelektuale.
Emanuela Zaimi, drejtuese e fondacionit Down Syndrome Albania tha sot për Historia Ime:
“Mbështetja institucionale, fuqizim i familjes që fillon nga informimi sepse ka shumë familje që nuk kanë njohuritë e duhura se si ata duhet të ndihmojnë në çdo etapë të jetës fëmijën e tyre me sindromën down.”
Sipas Emanuela Zaimit fuqizimi i familjes bën diferencën sepse kur prindi është i ndërgjegjësuar mbi të gjitha nevojat dhe të drejtat e fëmijës së tij, ai bëhet më luftarak dhe di se çfarë të kërkojë.
FOTO NGA AKTIVITETI