Tiranë, 3 – vjeçari dhe nëna e tij marrin plage në autobus
Një grua dhe një fëmijë kanë marrë plagë sot në një linjë urbani të Tiranës. Fëmija ka rënë së bashku me të ëmën nga një frenim i fortë i shoferit, teksa po shkonte në kopsht mëngjesin e sotëm me linjën Kristal – Qendër. Pas frenimit, hekuri mbajtës i autobusit është këputur, duke bërë që nëna dhe i bir të bien në gropën e shkallëve.
Nëna e djalit që është vetëm 3 vjec e 10 muajsh, ka folur për “Panorama” dhe ka treguar edhe dinamikën e ngjarjes:
“Ishim në autobusin e linjës Kristal-Qendër, në orën 08:40, në semaforin e Komunës së Parisit. Shoferi bën një frenim të çmendur, ranë gjithë njerëzit. Unë me çunin ishim të ulur. Shkëputet hekuri dhe biem të dy në gropën e shkallëve me fytyre. Unë ulërija ndalo autobusin se do thërras policinë, ai nuk ndaloi. Më pas ndaloi në stacionin që e ka te “Lulishte 1 Maji”. Çuni u mbulua në gjak se i shpërtheu nga të dy hundët. Fotoja është bërë pasi djali mori ndihmën në spital. Mora 129, më merr 112 mbrapsht. Ne na ngritën njerëzit se as shoferi as fatorino nuk u shqetësuan. Çuni është copë, me shenja dhe në qafë. Autobusi i Kristalit kishte targën AA708NE. Ata janë flote shumë e vjetër e fakti qe hekuri mbajtës u shkëput e tregon qartë.”
/l.k./