“Si më la burri sepse vajza jonë është autike”
Qendra Kombëtare e Mirëmbajtjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të fëmijëve është qendra e vetme publike e autizmit në Shqipëri. Ajo ndodhet në zonën e Kombinatit në Tiranë dhe trajton rreth 774 fëmijë në vit, që vuajnë nga autizmi ose probleme të ngjashme si belbëzimi apo paraliza cerebrale ku përfshihen grupmoshat nga 0 deri në 6 vjeç.
Rreth 70-80%, fëmijët që trajtohen kanë probleme të autizmit. Fëmijët që vijnë nga Tirana marrin terapi në varësi të rastit të tyre, ndërsa ata të rretheve shtrohen në spital për rreth dy javë – pas çdo gjashtë javësh.
Si më la burri sepse vajza jonë është autike
N. G është nëna e një vajze 5 vjeçe gjysmë, autike. Vjen nga qyteti i Shkodrës për ta kuruar vajzën në Tiranë pranë Qendrës Kombëtare të Mirëmbajtjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të fëmijëve. Ajo e bën prej vitesh këtë cikël dhe qendra është kthyer në shpëtimin e saj dhe së bijës.
Kur vijnë aty, flenë të dyja bashkë dhe ushqehen në qendër. Gruaja e ndjek nga pas vajzën e vogël, me sytë gjithë besim se një ditë do të shërohet. Nga mjeket, fëmijët e tjerë dhe besimi. “Besimi të shëron”, thotë gruaja e re, që nuk pranon të thotë emrin e së bijës, as të sajin, për shkak të turpit nga sëmundja dhe gjendja në të cilën ndodhet.
Ajo jeton me prindërit në Shkodër, pasi që në momentin kur mësoi për sëmundjen e së bijës, u braktis nga i shoqi. Mes lotësh tregon për ndarjen me bashkëshortin, por më tepër se i vjen keq për ndarjen, është e revoltuar për shkakun që çoi në divorc.
N. G rrëfen se kur vajza mbushi dy vjeç dhe u diagnostifikua me autizëm, i shoqi mohoi të bijën dhe i përzuri nga shtëpia.
“Dyshova për autizëm kur vajzës nuk po i vinte goja. Mendova se diçka nuk shkon dhe u nisëm drejt Tiranës. Mjekët e diagnostifikuan time bijë me autizëm dhe sëmundjen e epilepsisë njëkohësisht. Kur dëgjova diagnozën e tmerrshme bota mu shemb nën këmbë. Përveç hallit të madh që më ra, duhet të përballesha dhe me tim shoq… Që kur mori vesh për sëmundjen, sjellja e tij ndryshoi. Gjendja psikologjike ju rëndua dhe filloi alkoolin. Nuk kaloi shumë dhe më kërkoi divorcin dhe na detyroi të largohemi nga shtëpia”, tregon ajo mes lotëve.
Që prej asaj dite nuk mori asnjë lajm prej tij…
Ajo thotë se të vetmit që iu gjendën pranë pas divorcit ishin prindërit. “Pa ta nuk do të kisha forcë të ndiqja trajtimet e vajzës. Ja dalim me vështirësi përsa i përket gjendjes financiare, por gjithsesi mbështesim njëri-tjetrin”.
Gruaja thotë se herë pas here e bija përmirësohet, mëson një shkronjë të re, hedh një hap, por përsëri shkon në regres dhe i kthehet gjendjes së fillimit. “Por unë shpresoj që do të flasë një ditë dhe do e dëgjoj të më thotë ma. Do ta pres derisa të vdes”.
Qendra Kombëtare e Mirëmbajtjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të fëmijëve mbahet me buxhetin e financuar nga Ministria e Shëndetësisë, që sipas drejtoreshës Migena Kika është i pamjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e rreth 800 fëmijëve në vit. /m.g
Burimi: Dritare.net