Shtëpia e Foshnjës Durrës, kujdestarja dhunon fëmijën 3 – vjeçar
Dafina Fama, kujdestare në Shtëpinë e Foshnjës në Durrës ka dhunuar një fëmijë 3 – vjeçar duke i shkaktuar plagë në fytyrë dhe trup.
Rasti është raportuar nga Daniela Deliallisi, punonjësja sociale e Shtëpisë së Foshnjës. Ajo ka vërejtur shenjën në fytyrën e fëmijës dhe ka njoftuar drejtoreshën.
Drejtoresha e këtij institucioni, Heroina Duka ka thënë për emisionin investigative “Stop” se ka kërkuar largimin e menjëhershëm nga puna të kujdestares që ka ushtruar dhunë.
Në këtë raport përshkruhet ngjarja në mënyrë më të detajuar:
Shenjat e fëmijës në fytyrë dhe në trup dukeshin qartë, dhe flisnin për një dhunim të tmerrshëm fizik nga ana e kujdestares ushtruar drejt fëmijës.
Dukeshin qartë shenjat e duarve në fytyrë dhe në ije, si dhe mavijosjet e fëmijës.
Kjo ndodhi pasi fëmija kishte defektuar në mbathje gjatë qëndrimit në kopësht. Fëmija konfirmoi dhunën dhe emrin e kujdestares, Dafina Fama. Këtë e bëri gjatë bisedës larg dhunueses, pasi në prani të saj fëmija nuk fliste. Kjo konfirmon jo vetëm dhunën fizike, por edhe atë psikologjike të ushtruar kundrejt fëmijës. Fëmija 3 vjeçar tregoi se kujdestarja e kishte goditur disa herë dhe ndihej i frikësuar kur shikonte kujdestaren.
Ndërsa kujdestarja nga ana tjetër është justifikuar duke thënë se shenjat e fëmijës janë shkaktuar nga rrëzimi në tualet.
Foto: Raporti i Shtëpisë së Foshnjës Durrës
/l.k./