Shëndeti mendor tek fëmijët, prindërit nuk duhet të neglizhojnë simptomat
Vështirësitë në shëndetin mendor, mund t’i kalojë si një individ i rritur edhe një fëmijë. Shqetësime të ndryshme si hiperaktiviteti, mungesa e vëmendjes dhe ankthet, nuk duhet të anashkalohen nga ana e prindërve.
Psikologia klinike, Oriola Pampuri, tregon në një intervistë për gazetën “Shqip”, se numri i rasteve të fëmijëve që u drejtohen mjekëve specialistë, për shkak të problemeve të ndryshme mendore, sa vjen e po rritet.
Sipas Pampurit te prindërit vihet re një lloj neglizhence, por gjithashtu një pjesë e mirë e tyre kanë edhe mungesë informacioni rreth sëmundjeve të ndryshme që mund të prekin fëmijët.
Psikologia tregon se mjedisi ku rriten fëmijët është mjaft i rëndësishëm për mirërritjen e tyre.
“Përballja e fëmijës në një mjedis ku mbizotëron dashuria, vëmendja dhe besimi, ka ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe mirërritjen e fëmijës. Kjo i ndihmon ata të ndërtojnë dhe të kenë një jetë të shëndetshme”, sqaron psikologia.
Znj. Pampuri sqaron gjithashtu se mungesa e kohës, e vëmendjes apo e dashurisë, nga ana e prindërve, nxit konflikte mes tyre dhe nga mungesa e komunikimit, nuk kuptojnë shqetësimet e fëmijëve, që ndonjëherë mund të jenë dhe serioze.
Një prej problemeve mund të jetë çrregullimi obsesiv-kompulsiv. Psikologia shpjegon se ky çrregullim mund të vijë me simptoma si larje e shpeshtë e duarve pa ndonjë arsye, thjesht nga frika e vazhdueshme se mos sëmuren nga ndonjë mikrob. Apo frika për vdekjen e ndonjë anëtari të familjes apo edhe të gjithë familjes, pa asnjë shkak të vërtetë.
Por forma të tjera më të lehta të çregullimeve, vijnë në simptoma si vështirësi në përqëndrim, një çrregullim që cenon vëmendjen e fëmijëve, dhe i pengon ata të përqendrohen për një kohë të gjatë.
Në formën e hiperaktivitetit, kur fëmijët janë ekstremisht aktiv dhe e kanë shumë të vështirë të ulen të bëjnë diçka. Shenja kryesore dalluese e hiperaktivitetit është dëshira e vazhdueshme për të lëvizur, pra për mos të qëndruar në një vend edhe kur është i detyruar të qëndrojë në ambiente si shkolla.
Si dhe çrregullimi i ankthit të përgjithësuar. Simptomat e ankthit të përgjithësuar janë: nervozizëm, mungesë dëshire për t’u relaksuar, ndjesi lodhjeje të vazhdueshme, vështirësi për t’u përqendruar dhe çrregullime të gjumit.
Studimet tregojnë që fëmijët me çregullimet e mësipërme, nëse nuk marrin trajtimin e duhur, do t’i mbartin probleme të tilla edhe kur të rriten, madje duke ia transmetuar edhe fëmijëve të tyre.
“Të gjitha këto mund të shërbejnë si një shkëndijë paralajmëruese që të marrim në konsideratë gjendjen e fëmijës sonë”, thotë psikologia Pampuri, e cila shton se “pavrësisht se jo në të gjitha rastet simptomat mund të shërbejnë për të evidentuar një çrregullim, gjithnjë duhen marrë në konsideratë për t’i paraprirë ndonjë problemi të shëndetit mendor të fëmijës”.
/m.g