Ende asnjë përgjigje për mësuesin invalid që duhet të ecë 12 Km në këmbë për të shkuar në punë
Disa muaj më parë në media ka qarkulluar kërkesa e një arsimtari që për shkak të një problemi në këmbë, i kërkonte ministrisë së Arsimit të rishikonte vendodhjen e punës së tij.
“Ju lutem, më transferoni në një shkollë ku shkon rruga e makinës, pasi kam probleme me këmbën dhe nuk mund të eci 12 km në këmbë.” Ky është apeli i mësuesit të ciklit të ulët, Rajmond Cani, me 18 vite përvojë pune në arsim.
Edhe pse mjekët në raportin mjekoligjor rekomandojnë se ai nuk duhet të ecë gjatë dhe të mos bëjë sforco fizike për shkak të një dëmtimi që ka në këmbë, në muajin tetor, mësuesin Rajmond Cani e kanë transferuar në shkollën 9-vjeçare Sopot, ku nuk shkon rruga e makinës dhe ai është i detyruar që të bëjë 12 kilometra rrugë në këmbë.
Cani u është drejtuar për ndihmë disa institucioneve, si kryeministrit, ministres Lindita Nikolla, Avokatit të Popullit, DAR Dibër, por, jo vetëm që halli i tij nuk ka gjetur zgjidhje, por këto institucione as nuk kanë denjuar t’i përgjigjen. Historia & apeli Dy vitet e fundit për mësuesin Rajmond Cani kanë qenë tepër të vështira, pasi ka patur disa herë shkarkime dhe emërime nga puna.
Fillimin e vitit 2014 atë e kanë shkarkuar nga detyra që mbante prej 9 vitesh si specialist i arsimit parashkollor në Zyrën Arsimore Bulqizë; më pas e emëruan si mësues zëvendësues në shkollë 9-vjeçare “Xhevdet Doda”; në tetor 2014 e kanë emëruar mësues definitiv në shkollën e mesme të bashkuar “Asllan Keta”, por pas një viti atë e transferuan në shkollën 9-vjeçare në Sopot, me arsyetimin për të rritur performancën e shkollës.
Por, sipas mësuesit Rajmond Cani, ai nuk ka bërë asnjë kërkesë për transferim, sepse, ndër të tjera, ai ka dhe një pamundësi fizike dhe nuk mund të ecë në këmbë për një kohë shumë të gjatë. “Unë kam një përvojë pune 18-vjeçare në arsim, kam marrë kategorinë e dytë si mësues, kam bërë të gjitha trajnimet që ka bërë ZA Bulqizë, kam punuar si specialist i ciklit të ulët në Zyrën Arsimore të Bulqizës. Veç kualifikimeve që kam, unë rezultoj edhe me një problem fizik, pasi në fëmijëri kam kaluar sëmundjen e poliomielitit, e cila më ka lënë me pasoja në këmbën e djathtë.
Sipas mësuesit, transferimi i tij është bërë në kundërshtim të ligjit të arsimit parauniversitar dhe në kundërshtim të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe të Kodit të Punës, pasi transferimet nuk mund të bëhen pa pëlqimin e të punësuarit. “Më falni për shqetësimin, znj.ministre, por theksoj se po më çojnë drejt vetëflijimit, pasi për mua nuk ka mbetur rrugë tjetër; ky vend pune është e vetmja e ardhur për familjen time, pasi kam dhe dy fëmijë të mitur. Ju lutem, ndërhyni me autoritetin që ju jep ligji që kjo ngjarje të mos marrë përmasa dramatike”, shkruan Rajmond Cani në një prej letrave që i ka dërguar ministres, Lindita Nikolla.