Riatdhesimi i luftëtareve gra të ISIS në Kosovë, nisin hetimet për aktivitetin e tyre
Ditën e shtunë, autoritetet kosovare me ndihmën e autoriteteve amerikane arritën të riatdhesojnë në Kosovë rreth 110 qytetarë, të mbetur në zonat e luftës në Siri pas mundjes së ISIS nga forcat aleate perëndimore.
Midis 110 të riatdhesuarëve, numërohen rreth 32 gra, 74 fëmijë të lindur nga njëri prind me shtetësi kosovare (9 prej tyre u janë vrarë prindërit në luftën e Sirisë) dhe 4 burra, që dyshohet se kanë luftuar për organizatën terroriste ISIS. Policia dhe Prokuroria e Kosovës kanë nisur intervistimin e grave, me dyshimin se ishin pjesëmarrëse në grupe terroriste në Siri.
Aktualisht, të gjithë të kthyerit po i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore dhe ende nuk dihet kur do të lirohen, ndërkohë që katër militantë janë në paraburgim si të dyshuar për pjesëmarrje në organizata terroriste, raporton Radio Evropa e Lirë.
Sipas Policisë së Kosovës, në Siri ende janë rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë të cilët janë me shtetësi kosovare. Që nga viti 2012 rreth 400 njerëz nga Kosova i janë bashkuar të ashtuquajturit Shteti Islamik.