Raporti i “Save the Children”, Shqipëria vendi me më shumë fëmijëri të humbura në rajon
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, organizata “Save the Children” publikoi raportin global “Fundi i Fëmijërisë”. Raporti tregon një përkeqësim të jetesës së fëmijëve në vendin tonë.
Shqipëria renditet në vendin e 77 nga 175, duke zbritur me 6 vende krahasuar me 2017 për shkak të normës së lartë të vdekshmërisë foshnjore, kequshqyerjes, punës së detyruar apo shtatzënisë në moshë të hershme.
Këta tregues e rendisin vendin tonë të fundit krahasuar me vendet e rajonit. Bosnja dhe Hercegovina renditen në vendin e 39, Serbia në vendin e 46, Mali i zi në vendin e 53 dhe Maqedonia në vendin e 66.
Treguesit e raportit paraqesin shkallën më të lartë të vdekshmërisë nën moshën 5 vjeç në rajon me 12.5 vdekje për çdo 1000 lindje. Një tjetër tregues negativ është vonesa e rritjes së fëmijëve, e cila llogaritet të jetë 23.1% në fëmijët 0-5 vjeç.
“Asnjë fëmijë të mos i grabitet e ardhmja për shkak të kequshqyerjes, martesës së hershme të detyruar, shtatzënisë së hershme ose punës së detyruar por fëmijëve t’iu mundësohet akses në arsim cilësor dhe t’iu ofrohen mundësi për të zhvilluar potencialet e tyre” – thuhet në deklaratën e “Save the Children” për 1 Qershorin.
Studimi Global “Fundi i Fëmijërisë” dhe Indeksi i Fëmijërisë analizon:
- Realitetet e ashpra me të cilat përballen fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar – duke përfshirë vajzat, fëmijët në vende të prekura nga konfliktet dhe fëmijët që jetojnë në varfëri.
- Tetë ngjarje përcaktuese të jetës që shënojnë fundin e fëmijërisë.
Kliko këtu për të shkarkuar raportin e plotë:
EndofChildhood_Report_2018_ENGLISH
/l.k./