Pezullohet polici qe dhunoi adoleshentin
Policia e Shtetit vendosi të pezullojë nga detyra punonjësin e policisë, i cili një ditë më parë u filmua duke ushtruar dhunë ndaj një të mituri, gjatë shoqërimit të këtij të fundit në rajon.
Nga Drejtoria e Standardeve Profesionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka filluar ecuria disiplinore për shkeljet e kryera gjatë ushtrimit të detyrës.
“Policia e Shtetit garanton opinionin publik se, si një shërbim në ndihmë të komunitetit, është maksimalisht e angazhuar për garantimin e rendit publik në respekt të plotë të ligjit dhe të lirive e të drejtave të qytetarëve dhe nuk do të tolerohet asnjë shkelje apo abuzim nga ana e punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës, por ndaj tyre do të merren masat e parashikuara në ligj”, thuhet në njoftimin e Policisë./T.CH/