Një shtëpi për fëmijët “e braktisur”: Jeta në një familje kujdestare
Nga Valbona Sulçe
Historia e një vajze 6-vjeçare, e cila ka kaluar nga Shtëpia e Fëmijës te një familje kujdestare në Shkodër nxjerr në pah avantazhet e sistemit të ri për mirëqënien e fëmijëve, por edhe burokracitë dhe sistemin jo-funksional të kontrollit.
Lulja* është gjashtë vjeç. Para se të përfundonte në Shtëpinë e Fëmijës Parashkollor në Shkodër, u rrit deri në 3 vjeç e gjysmë nga familja e saj biologjike, Më pas, prindërit e saj u divorcuan, ndërsa nëna i kishte dërguar të dyja vajzat në Shtëpinë e Fëmijës.
Sot ajo jeton në familjen e Nikolinës. Nikolina, 56 vjeç, nënë e dy vajzave të rritura është gjyshja e saj kujdestare. Nikolina thotë se vendimi për të marrë Lulen në shtëpi erdhi rastësisht. Ajo kishte shkuar bashkë me një shoqen e saj në Shtëpinë e Fëmijës Parashkollor në Shkodër për të marrë një vajzë për fundjavë, por fëmija i paracaktuar kishte nisur të qante.
“Ndërkohë, shoh kyt vocërrake që m’u var te kambët e thoshte: A t’li unë… Domethënë, a të vij unë”?
Nikolina jeton me bashkëshortin e saj pensionist, Palokën dhe vajzat Ori dhe Xhulia në një shtëpi të thjeshtë të blerë me kredi, një dhomë e guzhinë, në një pallat të vjetër në Shkodër. Ajo ka punuar për 20 vjet në ndërmarrjen artistike “Migjeni”, më pas në disa klinika dentare, ndërsa aktualisht kujdeset për dy familje-paradite me një fëmijë dhe pasdite për një të moshuar.
Për një vit e gjysmë, Lulja vizitoi shtëpinë e tyre çdo fundjavë. Derisa ata vendosën ta merrnin në kujdestari. Familja u përfshi në një projekt të Ministrisë së Mirëqënies, i financuar nga programi i kthimit të borxhit me qeverinë italiane, IADSA, që nxiste shërbimet alternative për fëmijët e institucioneve rezidenciale. Katër anëtarët e familjes plotësuan formularët, kryen testet e ndryshme shëndetësore dhe paraqitën kërkesën në gjykatë për marrjen në kujdestari të Lules. Nikolina mori pjesë edhe në një trajnim nga ministria për mirërritjen e fëmijës.
Lulja nuk duket se ka kujtime të mira edhe nga “kopshti i madh”. Me sytë nga televizori ku ndjek filmin e saj, ajo thotë se i pëlqen të rrijë më shumë këtu se në kopsht, pasi atje “i rrehin”. Nikolina tregon se vajza shqetësohet kur i kujton shtëpinë e fëmijës.
“Kur i thashë se po vjen Valbona (drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror që për pak kohë ka drejtuar shtëpinë e fëmijës parashkollor) kishte frikë se po e merr prapë,” thotë ajo.
Shërbimi i kujdestarisë ka një historik të shkurtër në Shqipëri. Në vitin 2012, një vendim i Këshillit të Ministrave përcakton procedurën e marrjes në kujdestari të fëmijëve. Në vitin 2013, u përcaktuan 99 familjet e para kujdestare, ndërsa në vitin 2015, Shërbimi Social Shtetëror raporton se janë 247 familje kujdestare, nga të cilët 22 kanë në kujdestari fëmijë me aftësi të kufizuar.
Anila Sulstarova, psikologe dhe drejtuese e qendrës Bethany në Tiranë mendon megjithatë se shifrat e Shërbimit Social janë të fryra. Shumica e familjeve kujdestare, sipas saj kanë lidhje gjaku me fëmijët, ndërkohë që të tjerët duhet të përballojnë një sërë burokracish në procedura të gjata dhe të kushtueshme. “Përveçse nuk ka informacion, sistemi të vonon, është shumë i lodhshëm në hyrje. Procedurat janë të gjata dhe të kushtueshme, – duhen dëshmi penaliteti, teste për HIV, test shëndeti mendor, kartela e vaksinave- kostoja shkon deri 5000 lekë për një familje kujdestare që të sigurojë dokumentacionin dhe kjo nuk është e drejtë,” thotë Sulstarova. /m.g
*Emri i vërtetë i vajzës 6-vjeçare është ndërruar për arsye etike.
Shkrimi i plotë reporter.al