Lirohen 79 nxënës të rrëmbyer në Kamerun

Nxënësit e rrëmbyer nga një shkollë në rajonin veriperëndimor të Kamerunit janë liruar, sipas burimeve zyrtare të vendit. 79 nxënës dhe tre persona të tjerë u rrëmbyen të dielën në kryeqytetin e rajonit Bamenda. Drejtori i shkollës, shoferi dhe një mësues janë ende peng, raporton BBC.
Rrethanat e lirimit të nxënësve nuk janë të qarta, por autoritetet thonë se po merren në pyetje para se të ribashkohen me prindërit e tyre. Sipas Kishës Presbiteriane të Kamerunit, studentët u braktisën në një nga ndërtesat e tyre në qytetin Bafut, rreth 24 km nga Bamenda.
Kisha gjithashtu zbuloi se rrëmbimi i së dielës ishte rasti i dytë në të njëjtën shkollë në më pak se një javë. Ministri i Komunikimit Issa Bakary Tchiroma tha për AFP se “të gjithë 79 nxënësit janë liruar”, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi rrëmbyesit apo ngjarjen./ k.j