Kriza ekonomike dhe vala e emigracionit nuk i kursen fëmijët

Realiteti i zymtë i krizës së migracionit në kufirin jugor të Amerikës, u përjetësua në një foto të shkrepur, ku duken trupat e pajetë të një babai salvadorian dhe vajzës së tij, të cilët u mbytën teksa u përpoqën të kalonin lumin Rio Grande në Teksas.
Ky imazh i marrë ditën e hënë, tregon 26-vjeçarin Óscar Alberto Martínez Ramírez dhe vajzën e tij Valeria, të zhytur me fytyrë buzë lumit. Krahu i foshnjës 23 muajshe ishte përreth qafës së babait të saj, duke na lënë të kuptojmë se ajo ishte e kapur pas tij në momentet e fundit të jetës.

Gazetat meksikane e krahasuan këto imazhe me ato fotografinë të vitit 2015, të djalit 3 vjeçar sirian, Alan Kurdi, i cili u mbyt pranë ishullit grek Kos – megjithëse mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndikim të njgjashëm në debatin e ashpër mbi emigracionin amerikan aktual.
Trupat e tyre u zbuluan në bregun e lumit pranë Matamoros, në Meksikë, në anën e përtejme të Brownsville, në Teksas, vetëm një gjysmë milje larg urës ndërkombëtare.
Sipas Julia Le Duc, gazetare për “La Jornada”, Martínez Ramirez kishte arritur në Matamoros të dielën, duke shpresuar të kërkonte azil nga autoritetet amerikane së bashku me gruan e tij, Vanessa Ávalos dhe vajzën e tyre.
Por, kur e kuptoi se mund të ishin disa javë para se ata të ishin në gjendje të fillonin procesin e azilit, Martínez vendosi se duhet të notonin sërish, tha Le Duc, i cila ishte dëshmitare e Ávalos gjatë deklarimit në polici.
“Ai kaloi së pari me vajzën dhe e la atë në anën amerikane. Pastaj u kthye për të marrë gruan e tij, por vajza hyri në ujë pas tij. Kur ai shkoi për ta shpëtuar atë, rrjedha i mori të dy, “tha Le Duc për “The Guardian”.
Këto pamje rrënqethëse, na kujtojnë edhe njëherë për rreziqet madhore me të cilat, përballen emigrantët e Amerikës Qendrore në përpjekje për t’i shpëtuar dhunës, korrupsionit dhe varfërisë në vendin e tyre dhe për të gjetur azil në Shtetet e Bashkuara. /l.k
Artikuj të tjerë të ngjashëm: 1-https://www.theguardian.com/us-news/2019/jun/24/mexico-us-border-texas-bodies-discovered 2• https://www.reuters.com/article/us-usa-immigration-death/parents-of-girl-from-india-who-died-in-us-desert-desperate-for-asylum-idUSKCN1TP2VN