Korçë, fëmijët rom dhe egjiptian të grupuar në shkolla të veçanta
Në dy shkolla të Korçës fëmijët rom dhe egjiptian janë grupuar në klasa dhe shkolla të veçanta duke u veçuar nga fëmijet e tjerë.
Shkolla “Naim Frashëri” është shembulli më i qartë i segregimit të fëmijëve nga këto komunitete. Sipas informacioneve nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Korçë, kjo shkollë me 280 nxënës ka 223 nxënës egjiptian dhe 57 rom.
Prindërit e kanë quajtur këtë veçim, si racizëm të plotë ndaj komunitetit të tyre. Ata kërkojnë që fëmijët e tyre të integrohen me të gjithë të tjerët e të mos veçohen.
“Fëmijët tanë të integrohen me gjithë shoqërinë. Nuk duhet ndarje, ky veprim i mënjanon fëmijët. Ndarja tregon racizëm ndaj komunitetit tonë”, tha një prej prindërve.
Rasti i dytë është ai i shkollës “Abdyl Avdia” në Moravë e cila varet mga shkolla fillore “Shaban Sollaku” . Në shkollën “Abdyl Avdia” të 45-të nxënësit i përkasin komunitetit Rom.
Ato pak familje të mazhorancës që kishin fëmijët në të njëjtën shkollë, ngritën një klasë të veçantë në shkollën kryesore Shaban Sollaku.
Po ashtu, fëmijëve rom nuk u sigurohet transporti për rrugën që është afro 2 km.
REAGON AVOKATI I POPULLIT IGLI TOTOZANI: SITUATË E PAPRANUESHME
Ai i ka cilësuar këto raste si të papranueshme dhe ka kërkuar që zyrtarët e arsimit të detyrohen me ligj për të luftuar segregimin për shkak të racës.
Totozani shtoi se këto janë raste unike të diskriminimi të romëve e egjiptianëve.
“Zona ku është shkolla, ka popullsi diverse. Ankesa ka ardhur nga qendra evropiane për të drejtat e romëve. Është i papranueshëm veçimi fizik i fëmijëve rom. Iu kemi dhënë rekomandime institucioneve përkatëse. Jo shkolla segreguese, por gjithëpërfshirëse. Në dy shkollat s’monitorohen politikat arsimore”, tha ai.
DREJTORI I QENDES EUROPIANE PER TE DREJTAT E ROMEVE: “SHKELJE E RENDE DHE DJALLEZORE”
Adam Weis, drejtor i Qendrës Europiane për të Drejtat e Romëve tha: “segregimi i pakicave në shkolla është shkelja më e rëndë dhe më djallëzore e të drejtave të tyre, ndaj të gjitha palët duhet të bashkohen për ta fshirë këtë dukuri nga Shqipëria”.
/l.k./