Ideja që bashkoi Ballkanin, pushime falas për fëmijët me aftësi të kufizuar
Një grup pronarësh shtëpish pushimi pranë detit Adriatik në Kroaci kanë vendosur tu japin mundësi fëmijëve me aftësi të kufizuar që të kalojnë disa ditë pushimi falas në plazh. Ata themeluan një grup në Facebook të quajtur “Qiradhënësit me zemër”, përmes të cilit disa familje përfituan pushime falas.
Ideja lindi në Postira në Ishullin Brač e më pas u përhap në rrjetet sociale, me gjithmonë e më shumë pritës që u hapnin dyert fëmijëve në nevojë dhe prindërve të tyre.
Lajmi bëri bujë deri në Serbi, Bosnje Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni, me shumë prindër që pyesnin nëse mund të përfitonin nga oferta bujare.
Media serbe e përkrahën këtë nismë dhe lajmet hapeshin me titullin “Bravo! Njerëz në masë ofrojnë akomodim falas në Adriatik për fëmijët me aftësi të kufizuar”, “Ballkani u bashkua, dhe do të gëzoheni më shumë kur të dini arsyen pse”.
Një nga administratorët e grupit në Facebook iu përgjigj kështu pyetjes së një prindi nga Serbia nëse mund të vinin edhe ata në Kroaci:
“Përse të mos mund të vini? Sëmundja, dhimbja, fëmijët nuk njohin kufij. Ejani këtë verë që të bëhemi një planet”.
Programe të tilla, sidomos të fokusuara tek fëmijët, nuk janë të rralla as në Ballkan. Vitin e kaluar, Maqedonia nisi një program, ku rreth dy mijë fëmijë nga familje në vështirësi ekonomike mundën të shkonin në pushime falas.