Fëmijët e prekur nga kanceri kërkojnë ndihmë: “Z. Ministër, kjo është dora ime… Bëje të jetojë!”
“Thirr për fëmijët me kancer” u quajt protesta ku morën pjesë fëmijët e prekur nga kanceri së bashku me prindërit dhe familjarët e tyre. Ky tubim i mbështetur nga organizata Together for Life u organizua sot përpara Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT).
“Jam 3 vjeç! Dua të buzëqesh! Dua të rritem! Dua të jetoj!”,ishin disa nga thirrjet e sotme përpara shërbimit të Pediatrisë në QSUT.
Mjekimet për fëmijët me kancer kushtojnë miliona dhe e vetmja zgjidhje për ta mbeten farmacitë private. Ndërkohë shteti nuk u plotëson fëmijëve as nevojat për kimioterapi, duke e bërë të pamundur trajtimin për familjet që nuk kanë mundësi ekonomike.

Femijet e prekur nga kanceri i bejne thirrje shtetit per ndihme/ Foto: Shendeti.com.al
“Vajza ime është vetëm 21 vjeçe. Nuk po e përballon dot gjendjen e djalit. E ka fëmijën e parë dhe të vetëm. Nuk dimë se ku ta ngremë zërin. Vetëm Ministri i Shëndetësisë po na dha zgjidhje”, shprehet kështu me lot në sy nëna e djaloshit vetëm 3 vjeç, i diagnostikuar me leucemi acute.
“Fëmijët me sëmundje të rënda të gjakut kanë nevojë emergjente për medikamente. Çdo ditë përballen me mungesa të pajustifikueshme. Mungesa që ndikojnë në përkeqësimin e jetës së tyre. I bëj thirrje Ministrit të Shëndetësisë, Kryeministrit që të reagojnë. Është detyrim ligjor i tyre që të sigurojnë çdo medikament për këta të sëmurë. Këta fëmijë duhet që të jetojnë. Duhet t’u japim shpresë për jetën”. Është shprehur kështu Eglantina Bardhi, drejtoreshë e shoqatës “Together for Life”, në thirrjen e organizuar sot në mbështetje të fëmijëve me kancer.

Thirrja e femijeve drejtuar Ministrit Beqaj/ Foto: Shendeti.com.al
Veç thirjeve të drejtpërdrejta përmes medias dhe kamerave, familjarët nënshkruan një peticion ku i kërkojnë Ministrit të Shëndetësisë të ndëryjë menjëherë për të shpëtuar jetët e fëmijëve. Në shenjë simboli fëmijët lanë shenjat e tyre të duarve mbi një çarçaf të bardhë, mbi të cilin ishte qëndisur një fjali në formë lutje: “Zoti Ministër! Kjo është dora ime, bëje të jetojë”. Peticioni bashkë me “firmën” e fëmijëve do t’i postohet Ministrisë së Shëndetësisë, me shpresën për reagim.
Aktiviteti i mbështetur nga “Together for Life” do të pasohet nga një sërë nismash të tjera me në fokus fëmijët më sëmundje të rënda, deri në realizimin e kërkesave të tyre të ligjshme.
/l.k./