Fëmijët dhe etika në media
Pak ditë më parë, në profilin e kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, një nënë shkruante e revoltuar pasi i ishte publikar pa të drejtë fotografia e fëmijës së saj.
“Z. Erion, ky është fëmija im, nuk më keni marrë leje për ta publikuar foton e tij në mbremjen e Orës së Tokës. Ju lutem hiqeni sa më parë.”
Ndonëse ende nuk ka një ligj të përcaktuar për mediat online dhe rrjetet sociale, Shqipëria ka disa rregulla themelore për mbrojtjen e të dhënave personale në median e shkruar, vizive dhe audiovizive, përpos kodit të etikës. Në kushtet e mungesës së një ligji rregullues, udhëzimet e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duhet të shërbejnë si pikë referimi edhe për mediat online. Aty përcaktohet qartë se:
“Pamjet apo imazhet e fëmijëve, media duhet t’i marrë në mënyrë të ndershme dhe të drejtë si dhe ato duhen marrë me dijeninë dhe pëlqimin e vetë fëmijës apo të prindërve të tij ose kujdestarit ligjor të fëmijës, pasi t’i jetë shpjeguar qëllimi”.
Gjithashtu, Komiteti i Përgjithshëm për të Drejtat e Fëmijëve përcakton se shteti duhet të marrë masa për të mbrojtur fëmijët, duke përfshirë edhe median dhe teknologjitë.
Përdorimi i imazheve të fëmijëve në rrjetet sociale nga media, persona publikë apo edhe nga vetë prindërit, nuk është një debat vetëm për vendin tonë. Në SHBA prindërit janë të ndarë në dy kampe, ka nga ata që kanë vendosur të mos shpërndajnë asnjë fotografi, video apo informacione për fëmijët e tyre me frikën se mund të keqpërdoren, por ka edhe nga ata që nuk e kanë këtë shqetësim. /m.g