Tre persona kanë humbur jetën në ditët e fundit në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Sanatorium, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar sot se pas analizave, dy prej tyre kanë ndërruar jetë nga virusi sezonal AH1N1 dhe rasti i tretë po verifikohet për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.
“Gripi në Shqipëri ka intensitet mesatar, por është në rritje. Në dy javët e fundit kemi një rritje të rasteve të gripit. Kjo vihet re në infeksionet respiratore akute. Situata në Shqipëri është e ngjashme me vendet në rajon. Deri tani janë dy raste të konfirmuar me grip, por edhe një rast tjetër po verifikohet që ka ndërruar jetë në “Shefqet Ndroqi”.” deklaroi një specialiste e ISHP për mediat ditën e djeshme.
“Kemi një qarkullim të gripit. Kemi një rritje të gripit AH1N1. Nuk kemi grip derri. Është virus i përfshirë në vaksinën e gripit. Është një vaksinë që në bazë të studimeve që kanë ardhur nga vendet e tjera tregojnë efektshmëri të vaksinës. Njerëzit të vaksinohen!”
Vaksinimi i përvitshëm ndaj gripit është i rëndësishëm pasi viruset e gripit janë në ndryshim të vazhdueshëm dhe imuniteti i përftuar nga vaksina e kryer më parë, bie me kalimin e kohës. Thirrjet për vaksinim janë bërë dhe për popullatën e rrezikuar nga fruthi, kryesisht fëmijët të lindur para viteve 2000, të cilët janë vaksinuar vetëm me një dozë vaksine për fruthin./k.j