Dyfishohet numri i fëmijëve të trafikuar në tre vitet e fundit
Fëmijët shqiptarë përballen me një sërë problemesh, duke filluar që nga rreziku i dhunës seksuale e deri te mungesa e aksesit. Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, Ina Verzivolli, në një intervistë për gazetën “Shqip”, ka thënë se shqetësim i madh janë edhe fëmijët që trafikohen.
Sipas saj në vitet e fundit ka një rritje të frikshme të rasteve. Nëse në vitin 2012 janë raportuar 26 raste, në 2014 ka patur 62 raste të trafikimit të të miturve. Gjithashtu ajo thotë se janë identifikuar 31 raste të abuzimit seksual, të cilat janë referuar për ndjekje te strukturat përkatëse.
“Disa kategori të fëmijëve janë veçanërisht më të rrezikuara ndaj dhunës, të tilla si fëmijët që jetojnë dhe punojnë në rrugë, fëmijë nga pakicat etnike ose fëmijë me aftësi të kufizuara. Fëmijët në Shqipëri përballen me forma të ndryshme të dhunës në familje, shkollë, institucion, komunitet”, ka thënë zonja Verzivolli.
Sondazhi i parë kombëtar për fëmijët që punojnë, është kryer në maj të vitit 2010 (publikuar në maj 2013) dhe ka treguar se 7.7% e të gjithë fëmijëve shqiptarë të moshave 5-17 vjeç punojnë.
Sipas të njëjtit burim, 7.7% e të gjithë fëmijëve shqiptarë të moshës 5-7 vjeç punojnë dhe mbi 5% e tyre janë punëtorë krahu, të cilët punojnë në aktivitete ekonomike të rrezikshme, me orë të tejzgjatura dhe në kushte pune të rrezikshme.
/m.g