Durrës/ Ushqimet e skaduara në çerdhe dhe kopshte rrezikojnë shëndetin e fëmijëve
Prindërit ankohen për cilësinë e ushqimeve që konsumojnë fëmijët e tyre në kopshtet dhe çerdhet e Durrësit. Një sërë ushqimesh si: mishi, orizi, djathi, makaronat, sipas prindërve janë të skaduara dhe blihen në mënyrë abuzive duke rrezikuar seriozisht shëndetin e fëmijëve të tyre.
Orizi që gatuhet në kopshte e çerdhe nuk gjendet në asnjë pikë shitjeje në Durrës, çka sipas prindërve, lind dyshime të thella për cilësinë e produktit. Ata akuzojnë se ushqimet blihen me çmime fiktive, për qëllime personale dhe se cilësia e tyre është zero.
Pas ankesave të prindërve Bashkia e Durrësit ka urdhëruar nisjen e inspektimeve në magazinën qendrore, nga furnizohen me ushqime çerdhet dhe kopshtet e qytetit, të cilat janë nën varësinë e bashkisë.
Prindërit paguajnë 4500 lekë në muaj për fëmijët e tyre, ndërsa kosto e ushqimit është 9800 lekë në muaj, diferenca, rreth 50% financohet nga bashkia.
Produktet ushqimore si mishi, veza, orizi dhe fasulet janë të një cilësie shumë të ulët edhe pse tenderoen me çmime të larta.
Sipas prindërve nuk është aspak çudi që furnizuesit të sjellin mall skarco, magazinieri të vjedhë apo edhe inspektorët të paguhen për të mbyllur gojën.
“Abuzimi është i madh, por të gjitha strukturat mbyllin gojën dhe sytë, nuk ngrenë problemet, sepse janë në tavën e përfitimeve edhe vetë. E nëse duhet të gjendet fajtori, këtë duhet ta bëjnë strukturat e policisë dhe të prokurorisë, sepse edhe punonjësit e policisë, edhe ata të prokurorisë, edhe ata të shëndetësisë, i kanë fëmijët e tyre në këto institucione. Të gjejnë e të vënë përpara drejtësisë ata që abuzojnë, të paktën për hir të fëmijëve të tyre.”, tha për gazetën “Shqip” një prej prindërve.
/l.k./